Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, Basha përgëzon Imzot Rrok Mirditën

Tiranë- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, përgëzon Arqipeshkvin katolik të Durrësit, Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë, për mundësimin e vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë.Përmes një letre drejtuar SH.T. Imzot Rrok Mirditës, Basha e cilëson vizitën e Papës një inkurajim dhe shpërblim për të gjithë vuajtjet dhe martirizimin e kombit tonë dhe në veçanti të klerit katolik gjatë përndjekjes dhe ndalimit të fesë në periudhën e errët të regjimit komunist.Më 21 shtator të këtij viti, Papa Francesku do të vizitojë Shqipërinë. Lajmin e ka dhënë kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, për mbështetësit e tij në Fb. Vizita e tij është përshëndetur dhe nga Kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha.Letra e PlotëPo ju drejtohem me këtë letër, pasi e konsideroj të jashtëzakonshëm lajmin se Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator të këtij viti. Dua t’ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë, duke e kurorëzuar me sukses kërkesën tuaj, që Papa Françesku të vijë në vendin tonë.Vizita e tij është një inkurajim dhe shpërblim për të gjithë vuajtjet dhe martirizimin e kombit tonë dhe në veçanti të klerit katolik gjatë përndjekjes dhe ndalimit të fesë në periudhën e errët të regjimit komunist.Papa Françesku do të ketë rastin të shohë një shoqëri të lirë, dhe të takojë qytetarë e besimtarë shpirtërisht të pasur e të përkushtuar, fakt që kam kënaqësinë ta shoh shpesh edhe unë në takimet e mia dhe që pata ndjesinë e këndshme ta prekja nga afër pak ditë më parë në Kishën e Shna-Ndout në Laç.Jam gjithashtu i prekur nga fakti se Papa Françesku ju drejtua në fjalën e tij Tiranës, kryeqytetit tonë dhe kam nderin që në emër të gjithë bashkëqytetarëve ti uroj mirëseardhjen.Vizita e tij e shumëpritur do t’i shërbejë kryeqytetit, vendit dhe kombit tonë në pasurimin shpirtëror dhe në përpjekjen për zhvillim, prosperitet dhe bashkim me familjen e madhe europiane.