Maqedoni,Ahmeti kundër zgjedhjeve të parakohshme
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Këtë qëndrim Ahmeti e ka shprehur në takimin me ambasadorin e Suedisë në Maqedoni,Lars Vahlund.“Kryetari Ahmeti u shpreh kundër zgjedhjeve të parakohshme dhe për sjellje konstruktive nga të gjithë politikbërësit në përputhshmëri me pritjet e Brukselit. Bojkoti i institucioneve dhe i zgjedhjeve dëmton subjektet por edhe të ardhmën EuroAtlantike të shtetit dhe për këtë, përgjegjësinë e ndajmë që të gjithë”, thuhet në komunikatën e BDI-së pas këtij takimi.Bashkëbiseduesit folën rreth situatës aktuale politike në vend si dhe rreth kornizës së Bashkimit Evropian për marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Ambasadori Vahlund shprehu interesimin e tij për zhvillimet politike në vend pas situatës së krijuar ditë më parë si dhe për angazhimin e vendit dhe të të gjitha partive politike për plotësimin e kornizës Evropiane nga samiti i fundit i Bashkimit Evropian si dhe zgjidhjes së çështjes së emrit.Kryetari Ahmeti falemnderoi Ambasadorin Vahlund për përkrahjen e Suedisë në samitin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duke thënë që avancimi i arritur është sukses i përbashkët i komunitetit ndërkombëtar dhe i vendit. Në këtë vijë nevojitet angazhimi konstruktiv i të gjitha partive politike, mediave dhe shoqërisë civile që Maqedonia të merr date për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.