Koalicionet politike në Kosovë interes në mediat serbe, “Danas”: Haradinaj Kryeministër
Koalicioni i paralajmëruar në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka ngjallur interesim edhe te mediat serbe. Bile ato tregojnë në detaje se kur pritet të ndodhë ky koalicion dhe si do të bëhet ndarja e posteve kryesore të institucioneve mes këtyre dy partive.Gazeta serbe “Danas” shkruan se takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç, i parashikuar për 17 janar të vitit të ardhshëm do të jetë i fundit mes tyre në këto cilësi, pasi vendin e Thaçit, më pas pritet ta zërë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.Këtë e ka deklaruar për “Danas” Fatmir Sheholli, një ish-zyrtar i institucioneve të Kosovës, e tani analist i raporteve shqiptaro-serbe.“Sipas dinamikës së planifikuar, rikomponimi i qeverisë, do të mund të ndodhë më së largu deri në fund të janarit, kur edhe duhet të përfundojë Kongresi Zgjedhor i PDK-së, kur Thaçi pritet të konfirmohet në krye të partisë. Menjëherë pason rikomponimi i qeverisë. Haradinaj merr postin e kryeministrit, kurse Thaçi në Kuvend do të zgjidhet presidenti i Kosovës.Në rast se Thaçi nuk zgjidhet, do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare në maj ose shtator të vitit 2013”, ka thënë Sheholli për “Danas”.Sheholli thekson se në qeverinë e Haradinajt nuk do të jetë vetëm një parti serbe – SLS, por edhe Lista e Bashkuar serbe. Sipas “Danas”, Haradinaj tashmë ka pasur kontakte me përfaqësuesit e JSL-së dhe SPC-së në Kosovë.Analisti politik serb, Dushan Janjiç, megjithatë, vlerëson si kombinim real diplomatik, ku Prishtina në mes të janarit në bisedimet që zhvillohen në Bruksel mund të prezantohet me Haradinajn.Ai thotë se ndryshimet në kreun e Qeverisë së Kosovës kanë qenë të planifikuara për në muajin shkurt, por shton se sjellja e Beogradit në javët e fundit i ka bindur edhe SHBA-të dhe Gjermaninë, si skeptikët më të mëdhenj për rokadën në Prishtinë, që është koha që Haradinaj të vijë në postin e kryeministrit, kurse Thaçi me shumicë votash në Kuvend të marrë pozitën e presidentit.