Nishani pret Patriarkun Ekumenik, Bartolomeun I, bekon marrjen e statusit
Tiranë-Presidenti i Republikës,Bujar Nishani, zhvilloi sot një takim me Patriarkun Ekumenik, Bartolomeun i dhe primarët e kishave të tjera ortodokse që ndodhen në vendin tonë me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.Duke u uruar edhe njëherë mirëseardhjen, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se pas një gjysmë shekulli diktature, ku praktimi i fesë ishte i ndaluar me ligj, ku klerikët u përndoqën pa mëshirë dhe objektet e kultit u shkatërruan, Shqipërisë sot i është shtuar edhe një objekt tjetër madhështor kulti – Katedralja e re Ortodokse në qendër të Tiranës.Presidenti Nishani vuri në dukje vlerat e pamohueshme të popullit tonë: tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën e shkëlqyer fetare, duke shtuar se Shqipëria dhe shqiptarët kanë punuar dhe do të kontribuojnë gjithmonë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe dialogun me fqinjët në rajon, sepse vetëm në saje të këtyre parimeve popujt dhe vendet tona do të ecin përpara në paqe dhe begati.“Këto virtyte të shqiptarëve të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, Shqipëria do t’ia ofrojë si vlera të shtuara edhe familjes së madhe evropiane, ku ne synojmë të bëjmë pjesë dhe të integrohemi së shpejti.” – theksoi Presidenti Nishani.Duke falenderuar Presidentin Nishani për mikpritjen, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Bartolomeu i vlerësoi ndryshimet dhe përparimet që ka shënuar vendi ynë duke vënë në dukje se Katedralja e re Ortodokse është një tjetër provë e qartë se Shqipëria gëzon tërësisht lirinë e praktimit të fesë, pas së kaluarës së hidhur që ka përjetuar.Gjithashtu Patriarku Ekumenik shprehu urimin dhe bekimin e Tij që Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat, sepse përveç arritjeve të shënuara, kombi shqiptar, duke qenë njëri prej më të vjetërve në kontinent, e meriton plotësisht të jetë në gjirin e Bashkimit Evropian.