Emërimet, PS: Objekti hetimor duhet korigjuar, Halimi: Lojë politike
Tiranë- Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për hetim parlamentar të emërimeve në administratë. Diskutimet e palëve në mbledhje nuk kanë shkuar në një vendim final.Dhe pse mazhoranca në parim ishte dakord për ngritjen e komisionit, ka shprehur rezerva mbi çështje teknike të objektit të kërkesës së PD, e cila kishte në fokus emërimet e paligjshme të personave të inkriminuar apo të dënuar për trafik narkotikësh.Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, në një dalje për mediat në përfundim të mbledhjes tha se ka elementë teknik të objektit bie ndesh me parimet Kushtetutese të prezumimit të pafajësisë. Megjithatë ai u shpreh optimist për gjetjen e një emëruesi të përbashkët deri ditën e enjte.“Në parim mazhoranca është dakord me ngritjen e këtij komisioni. Patëm diskutime lidhur me objektin e veprimtarisë së këtij komisioni, pasi disa elementë të këtij objekti në gjykimin e mazhorancës nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Kam besim që do biem në një emërues të përbashkët lidhur me këtë çështje. Besoj se ditën e enjte do ta kalojmë, nëse do biem dakord gjithmonë në lidhje me ato çështje që ne i paraqitëm si rezerva.Thelbi i objektit të kërkesës së PD nuk do ndryshojë. Thelbi i kërkesës së PD ka të bëjë me verifikimin e proçesit të emërimeve në administratën publike kryesisht, ne në parim e pranojmë, por nga pikpamja teknike të mënyrës së shkrimit të objektit ka vend për të bërë disa korrigjime. Kishte disa paragjykime në lidhje me personat të cilët ata do donin të verifikonin proceduren e emërimit të tyre,duke i konsideruar qoftë ata persona qoftë dhe procedurat e emërimit të tyre si të paligjshme, apo ata si persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme dhe kriminale. Për ne kjo bie ndesh me parimet Kushtetuese të prezumimit të pafajësisë dhe për ne kjo është një çështje që nuk mund të pranohet, por besoj se me një vullnet pozitiv mund të arrijmë në konsensus. Nëse do pranojmë kërkesën ashtu si është do cënonim një parim të Kushtetutës. Ne jemi të gatshëm të bëhet çdo lloj hetimi lidhur me procedurat e emërimit të çdo punonjësi në administratë pa asnjë lloj kufizimi.Kjo çfarë ne ofrojmë është më shumë nga çfarë kërkonte PD. Pastaj në përfundim të hetimit secili ka gjykimin e tij. PD akoma nuk ka rënë dakord, është kërkuar një formulim konkret me shkrim, deri ditën e enjte shpresoj të gjejmë një zgjidhje të përbashkët” tha ai.Nga ana tjetër opozita nuk reflektoi shumë optimizëm për gjetjen e konsensusit. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Eduard Halimi, akuzoi mazhorancën se po bën lojë politike për të shmangur dhe mbuluar emërimet e paligjshme.“Sot në konferencën e kryetarëve u diskutua kërkesa e PD për hetim të emërimeve në administratën shtetërore dhe në Entet publike, me fokus emërimin e atyre personave që kanë pasur rekorde kriminale. Ky hetim është i domosdoshëm në këndvështrimin e opozitës. I bëjmë thirrje mazhorancës ti lërë lojërat politike për të shkmangur dhe mbuluar emërimet e atyre personave në pikat kyce të kalimit të kufirit që kanë lidhje me narkotrafikun. Shqetësimi i opozitës ky është . Ne kërkojmë hetimin e ligjshmërisë së emerimit të këtyre personave. Çdo lojë politike që synon të mbrojë verifikimin e ligjshmërisë së këtyre personave e implikon qeverinë edhe më tej në këtë proces. E drejta për të ngritur komision hetimor parlamentar është e drejtë ekskluzive e opozitës, e drejta e përcaktimit të objektit të hetimit është e drejtë e opozitës. I bëjmë thirrje mazhorancës që deri ditën e enjte të reflektojë” tha ai.Lidhur me pretendimet e mazhorancës për cënim të prezumimit të pafajësisë së personave që do hetohen, Halimi tha se Komisioni ka për qëllim hetimin e qeverisë, të personave që kanë bërë emërimet. Ai shprehu vendosmërinë se opozita do të refuzojë çdo lojë politike që synon të pengojë transparencën.“Ne ja bëmë të qartë mazhoranmcës se e drejta për të formuluar objektin është e drejtë ekskluzive e opozitës dhe këtë e thotë gjykata kushtetuese në 6 vendime të saj. Lidhur me çështjen e prezumimit të pafajësisë, ne ua bëmë të qartë dhe në Konferencë se janë lojëra politike. Ne kërkojmë të hetojmë ata persona që kanë emëruar persona që kanë lidhje me narkotrafikun, Komisioni nuk verifikon as fajësinë dhe as pafajësinë e atyre personave. Shqetësimi ynë është i qartë pse emerohen të tillë persona në pikat e kalimit të kufirit, që dyshohen se kanë lidhje me narkotrafikun , që janë kapur me tonelata droge, në një kohë kur ka plot persona të ndershëm në këtë vend. Ne hetojmë lidhjen e qeverisë. Për personat heton gjykata, prokuroria. Objekti i depozituar u është shpërndarë mediave. Kemi dorëzuar kërkesën, mazhoranca kërkon të bëjë lojëra politike për të fshehur personat që i kanë emëruar ata. Opozita heton qeverinë. Çdo lojë politike që i shmanget transparencës nuk do të pranohet nga opozita” përfundoi Halimi.Partia Demokratike, gjatë këtyre muajve ka denocuar raste të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtari kriminale.Denoncimi i fundit ishte për Drejtorin e Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës, që sipas zëdhënëses Laura Vorpsi është dënuar në Greqi për trafik droge. Pas denoncimit të PD, Genart Gjashta, dha dorëheqjen nga posti që mbante.