Maqedonia ende pa një qeveri, Gruevski-Ahmeti 1 javë kohë për marrëveshjen

Maqedonia-Dy partitë fituese të zgjedhjeve të muajit prill, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë në dispozicion edhe një javë kohë për të formuar qeverinë e re. Ata pritet që të arrijnë një marrëveshje me të gjitha detajet e përcaktuara, ndërsa shkak për shtyrjen e afateve deri në momentin e fundit, është kongresi I Bashkimit Demokratik për Integrim, i përcaktuar për në 5 qershor.Ndërkohë, 8 qershori është dita e fundit kur kryeministri i mandatuar, Nikola Gruevski, do të duhet të dorëzojë propozimin me përbërjen e re të kabinetit qeversiës dhe programin qeveritar. Brenda javës do të duhet të jenë gati jo vetëm ndarjet e posteve ministrore, por edhe lista me drejtoritë kryesore.Pavarësisht pritshmërive, duket se nuk do të ketë shumë ndryshime nga qeveria e mëparshme, pasi duket se dy partitë do të ketë Ministritë dhe dikasteret që kanë drejtuar deri më tani. Ministria e Mbrojtjes do t`i kalojë VMRO-DPMNE, ndërsa BDI në këmbim kërkon Ministrinë e Arsimit.Por për këtë Ministri nuk heq dorë VMRO-DPMNE, e cila sipas disa mediave vendase, ka rezerva në rast se ky dikaster do të udhëhiqet nga partia shqiptare.Në partinë e Gruevskit dyshojnë se një nga hapat e parë do të jetë emërtimi i katër shkollave shqipe të Çairit me emrat e personaliteteve historike shqiptare, aplikimi i mësimit shqip në hapësirat ku jetojnë të ashtuquajturit maqedonas mysliman, apo siç është rasti i shkollës së Podgorcës në Strugë, ku disa nxënës vijojnë mësimin në shqip, por pengohen dhe bllokohen nga Ministria e Arsimit, apo edhe vendime të tjera.Në këmbim të kësaj, Gruevski I ka propozuar BDI-së, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Në fund të kësaj jave, Nikolla Gruevski do ti dorëzojë parlamentit propozimin e kabinetit qeverisës, ndërsa kryetari i parlamentit brenda një afati kohor 15 ditor, duhet të thërrasë mbledhjen e kuvendit për votim dhe zgjedhjen e përbërjes së qeverisë së re të vendit.