Poroshenko: Do t`i ndëshkojmë dhe ti shtypim banditët

Presidenti i ri i Ukrainës, Petro Poroshenko, është zotuar se do të ndëshkojë 'banditët', pas rrëzimit të helikopterit gjatë ditës së enjte ku mbetën të vdekur 12 persona."Këto akte kriminale të armiqve të popullit ukrainas, nuk do të kalojnë pa ndëshkim. Djemtë tanë vdiqën tragjikisht. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave" tha presidenti i ri i vendit në një intervistë për mediat vendase."Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të siguruar se nuk do të ketë më ukrainas të vrarë nga terroristët dhe banditët pro-rusë", theksoi Poroshenko.Helikopteri Mi-8 u godit gjatë luftimeve të ashpra midis Sloviansk dhe Kramatorsk, 6 ushtarë të Gardës Kombëtare, duke përfshirë edhe një gjeneral, si edhe 6 anëtarë të forcave të brendshme mbetën të vdekur. Lajmi u bë i ditur nga Garda Kombëtare, e cila shtoi se pro-rusët që sulmuan helikopterin ishin 'shkatërruar' nga forcat ukrainase, të cilat organizuan një operacion anti-terror. Edhe më herët në fillim të muajit maj, dy helikopterë të ushtrisë ukrainase u qëlluan nga separatistët.Moska zyrtare nga ana e saj ka bërë thirrje përmes ministrit të jashtëm Sergei Lavrov, që ti japin fund fushatës së dhunshme kundër rebelëve pro-rusë dhe të nisin një dialog real kombëtar. Konflikti në kufirin lindor është intensifikuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, pas zgjedhjeve presidenciale. Militantët pro-rusë shprehen se kanë humbur rreth 100 luftëtarë të hënën pas luftimeve nga ajri në aeroportin e Donjestkut, mes të cilëve 33 ishin me kombësi ruse.Më herët gjatë së enjtes, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit përshëndetën pothuajse njëzëri fitoren e Petro Poroshenkos dhe premtimin e tij për të biseduar me Moskën me qëllim rikthimin e paqes dhe stabilitetit. Megjithatë, ambasadori rus Vitaly Churkin u tregua më i rezervuar duke thënë se zgjedhjet nuk janë një "ilaç" për konfliktin e Ukrainës./nzh/oranews online/