Seanca plenare, miratohen projektligje në fushën e energjisë dhe pronësisë industriale

Tiranë- Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit, Ilir Meta dhe miratoi projektligje të rëndësishme në fushën e energjisë dhe atë të pronësisë industriale. Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.Pas miratimit të procesverbalit të seancës së një jave më parë, Kryetari i Kuvendit bëri të ditur nisjen e diskutimeve në lidhje me projektligjin për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9572, datë 3.7.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.Lidhur me këtë projektligj, deputeti Anastas Angjeli theksoi se përmes kësaj nisme synohet të rritet pavarësia e këtij autoriteti, duke rritur edhe më shumë sigurinë financiare.“Ky projektligj vjen dhe si rezultat i bashkëpunimit me ekspertë ndërkombëtarë. Janë marrë parasysh rekomandimet e FMN-së dhe të Bankës Botërore. Pavarësia ka rol kyç dhe kontribut në qëndrueshmërinë financiare. Ky projektligj vjen në përmbushje të kërkesës së shprehur në raportin e BE-së . Duke vlerësuar se ky projektligj është në përputhje me rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe vizionin e qeverisë, grupi parlamentar i PS-së është pro këtij ligji dhe ju fton që ta votoni atë”, tha Angjeli.Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Më pas, deputetët vijuan me diskutimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008 “Për pronësinë industriale” të ndryshuar”.“Bëhet fjalë për mbrojtjen e krijimeve të mendjes njerëzore. Ky është një ligj që mbron interesat e krijuesve duke i dhënë të drejtat e posedimit të krijimeve të tyre. U krijua një kapitull i ri për patentat europiane”, tha Eduard Shalsi.Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Kuvendi vijoi me diskutimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe projektit ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave e Operatorit të Sistemit të Transmetimit sh.a. si agjencia e zbatimit të projektit dhe kfv Frankfurt AM MAIN për financimin e projektit “Linja Unazore 110 kv e Shqipërisë së Jugut” nëpërmjet një huaje 37.750.000 euro”.“Synohet garantimi i sigurisë së furnizimit të energjisë. Jemi duke folur për një projekt me një ndikim të drejtpërdrejtë. E parë në tërësinë e saj dhe siç thuhet dhe në relacion, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë. Zbatimi përfundimtar i këtij projekti i hap dritën e gjelbër nënstacionit ekzistues që të zgjerojë linjën. Si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e vlerësuar si të rëndësishëm këtë zhvillim, e përkrahim pa mëdyshje”, theksoi Robert Bitri.Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Projektrezoluta “Për vlerësimin e punës së institucionit të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2013”u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi miratoi ndryshimin në përbërjen e Komisionit Hetimor “Për hetimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha fakteve dhe rrethanave, lidhur me akuzat e bëra publike për implikim të Forcave të Armatosura dhe bazave të saj ushtarake në veprimtari të kundërligjshme në transportin e lëndëve narkotike”, duke zëvendësuar deputetin Xhemal Qefalia me deputetin Anduel Xhindi.Seanca mbylli punimet në orën 18:24.