Rama për trafikun e drogës nga ajri: Ka ndodhur gjatë qeverisjes së PD, kemi prova
Trafiku i drogës nga ajri që prej muajsh po mban mbërthyer debatin publik dhe politik në vend është pranuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Referuar gjetjeve të komisionit hetimor për trafikun e drogës nga Forcat e Armatosura nën kryesimin e depuetetes Ermonela Felaj, Rama tha se ky trafik është zhvilluar gjatë qeverisjes së PD.Duke deklaruar se ai dhe Ministrja e Mbrojtjes janë në dijeni të informacioneve të klasifikuara, Rama tha se ky trafik ka ndodhur para shtatorit 2013.Nëse ka struktura policore dhe ushtarake të përfshira në këtë trafik, Rama nuk ka dhënë shumë detaje, por thekson se është tronditur nga informacioni që ka marrë nga Komisioni hetimor.“Nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj që sot me zell të madh bëjnë denoncimet”.Deklaratat kryeministri Rama i bëri gjatë një interviste në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në Top Channel.Intervista e plotë:Sokol Balla: Një koment të shkurtër, a do e mbani këtë premtim? Aq më tepër kur bëhet fjalë për të shkuarën siç është zoti Berisha? Të replikosh me Bashën është normale…Edi Rama: Një njeri për fat të keq mban peng Kuvendin dhe PD-në. Pavarësisht se ka shumë gjëra të rëndësishme për të diskutuar, është vërtetë për t’u ndjerë jo mirë kur përfshihesh në atë vorbull. Për sa më takon, unë e konsideroj të mbyllur replikën me liderin e opozitës. Është për fat të keq një personazh i degraduar që udhëheq procesin e degradimit të Parlamentit. Parlamenti duhet të jetë pasqyra e zgjedhjes së bërë nga populli. Unë jam i bindur se shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe që PD në Parlament nuk përfaqëson asgjë nga interesat e atyre që e kanë votuar, por vetëm ato të një grushti njerëzish që nuk u ka dalë ende pija nga vdekja e një pushteti.Sokol Balla: Edhe ju i përgjigjeni me të njëjtat tone...Edi Rama: Këtë e refuzoj kategorikisht. Pavarësisht se mund të ketë pasur marrëdhënie të vështira mes nesh në opozitë dhe Parlamentit, nuk ka asnjë gjë që mund të na bëjë të ngjashëm si dy pika uji me ata që janë sot në opozitë, apo që të më bëjë mua dhe qeverinë e sotme me parardhësin dhe qeverinë e djeshme.Sokol Balla: Kjo reflektohet tek deputetët tuaj, njëri prej tyre rrahu një deputetë të opozitës...Edi Rama: Është një proces degradimi i debateve të Parlamentit që udhëhiqet nga lideri i PD, për të dëmtuar marrëdhënien që duhet të ketë mes palëve në një demokraci normale, por që është edhe gjëja e vetme që ai di të bëjë. Gjithësesi, unë besoj në rilindjen e brendshme të një grupi që ka humbur gjithçka dhe që sot jeton me të shkuarën, me një frikë dhe rezistencë ndaj shumë lidhjeve që po këputen dita ditës me botën e aktivitetit të paligjshëm. Është humbja e një grushti njerëzish që fituan shumë, por që për fat të keq prej tyre shqiptarët humbën shumë.Sokol Balla: Ka që mendojnë se ju po paguani koston e sjelljeve tuaja...Edi Rama: Unë në Parlament nuk jam për të bërë batuta për të humbur kohë, por për të respektuar atë pjesë që populli ka zgjedhur për ta përfaqësuar në Parlament. Puna ime vazhdon pa të shtunë e pa të dielë, pa orar, për t’u marrë me çështjet jetike. Por debati i sotëm na devijoi nga ajo që duhet të bëjmë në këtë periudhë kaq të vështirë që na i ka lënë pushteti i kaluar. Ne po avancojmë dita ditës dhe po shohim rezultatet në luftën kundër krimit, trafiqeve, drogës, në arsim e shëndetësi, pavarësisht se është qesharake të thuhet pas 8 muajsh që duhet shëndetësia falas. Shëndetësia falas është një projekt që kërkon kohën e vetë dhe që do realizohet brenda një mandati. Gjithashtu, ne kemi bërë legalizimet falas dhe po u japim njerëzve titujt e pronësisë.Sokol Balla: Akuzat e opozitës i krahasuat me mushkonjat...Edi Rama: Unë kam reaguar ndaj një idiotësie se, në Divjakë çdo natë në ora 8 ngriheshin avionët. Dhe unë thash se, mbase janë mushkonjat që duken si avionët. Kjo ka qenë ajo që unë kam thënë dhe i qëndroj akoma.Sokol Balla: Po pas ngjarjes që ka ndodhur në Divjakë, mendoni se është mushkonjë apo avion?Edi Rama: Ne i kemi qëndruar besnik zotimit që është ende në lojë. Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të përsëritur gabimet e parardhësve tanë. Kur ne kemi thënë se nuk zotërojmë asnjë provë e fakt të pohuar për këtë formë të trafikut të drogës, kemi qenë tërësisht korrekt dhe besnik ndaj zotimit tonë. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe SHISH me një deklaratë publike.Sokol Balla: Por pas kësaj deklarate ndodhi ngjarja...Edi Rama: Po, por ky është një problem nga i cili ne nuk duhet të habitemi dhe të themi se ky është fundi i botës, pasi kjo formë e trafikut, për të cilin nuk kemi pasur asnjë provë, ndodh në mënyrë të vazhdueshme edhe në vendet e BE-së. Mesa duket e kanë bërë vetë ata kur ishin në pushtet, sepse kjo është zbuluar nga komisioni hetimor që drejtohet nga një deputete me eksperiencë në drejtësi.Sokol Balla: Ka struktura shtetërore të përfshirë në të?Edi Rama: Jam njohur me raportin e komisionit, që është i pari komision serioz që ka funksionuar dhe që do të japë prova konkrete se si kjo ka ndodhur më parë.Sokol Balla: Që ka ndodhur para se të vinit ju në pushtet?Edi Rama: Po, ka ndodhur para shtatorit. Unë dhe ministrja e Mbrojtjes jemi në dijeni të informacioneve të klasifikuara.Sokol Balla: Ka struktura policore dhe ushtarake në këtë trafik?Edi Rama: Nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj që sot me zell të madh bëjnë denoncimet.Sokol Balla: Është arrestuar një person i tretë lidhur me ngjarjen e Divjakës, duke e bërë ngjarjen më interesante. Ç’mund të na thoni?Edi Rama: U qëndroj atyre që kam thënë dhe e përsëris se ka qenë një periudhë e vështirë pasi jemi ndodhur në një valë sulmesh nga opozita, bazuar në një përbaltje sa më shpejt e sa më shumë ndaj qeverisë, në një moment kur po i afrohemi datës së statusit kandidat. Në këtë situatë, nga njëra anë dëgjojmë vlerësime dhe inkurajime, sepse më në fund po luftohet droga në Shqipëri, se kjo hordhi që ka qenë nuk është më dhe sepse diçka që ndodhte dje s’merrej vesh, por sot merret vesh, ndodh sepse gjithçka po goditet shumë fort. Po goditen rrjete të ngritura nga ata që kishin pushtetin. Dhe nga ana tjetër dëgjojmë këtë lukuni akuzash.Sokol Balla: Po akuzoni ata që kanë qenë më parë në pushtet...Edi Rama: Disponojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Mbledhja e forcave të policisë rreth plazhit të Divjakës ishte para se të rrëzohej avioni dhe planifikohej të kapej pjesa në tokë, jo avioni.Sokol Balla: Sot gazetari i RD-së ka shkruar sërish për trafikun e drogës dhe vazhdon të pretendojë se është kërcënuar me jetë...Edi Rama: Strukturat përkatëse janë interesuar të gjitha për të verifikuar deklaratat e gazetarit dhe është zbuluar se nuk është e vërtetë. Gazetari nuk jep asnjë provë dhe madje edhe numrat nga të cilët ai thotë se ka marrë mesazhe kërcënuese nuk rezultojnë të jenë numra realë.Sokol Balla: Dje Partia Demokratike ka kërkuar hetimin e shkarkimeve në administratë. Përse e refuzoni komisionin hetimor për këtë çështje?Edi Rama: PD ishte në komision, por deputetët e saj u ngritën nga tavolina dhe thanë se duhet një komision tjetër. Ne mund të jemi tolerantë, sa t’i lejojmë në seanca ku shpërfytyrohet Parlamenti dhe ku shkelet me të katër këmbët e opozitës etika, por nuk mund të pranojmë çdo absurditet që kërkohet. Është e rëndësishme të kujtohet se ndaj meje Saliu dhe opozita e sotme kanë ngritur tre komisione. Duan komision hetimor në mënyrë që çdo të enjte ta kthejnë Parlamentin në sallë debatesh të shterpta.