“Fest Argjiro 2014” në Gjirokastër, mblidhen grupët folklorike ballkanase

Qyteti i Gjirokastrës dhe zona muzeale e tij, janë shndërruar në një arenë festivali, duke ja shtuar edhe më shumë bukurinë, falë kostumeve tradicionale dhe tingujve të shumtë që vijnë në kuadër të edicionit të pestë “Fest Argjiro 2014”. Ky event i rëndësishëm i traditës mbarëballkanike, me grupe të spikatur, tashmë me përvojë edhe në skenën ndërkombëtare, është kthyer në një festë të vërtetë të traditës, duke hyrë në kalendarin e eventeve më të rëndësishme kulturore të qytetit. Aktiviteti ka filluar me prezantimin e panairit të librit në qendër të sheshit “Çerçiz Topulli” ku 13 shtëpitë botuese kryesore në vend kanë ekspozuar për qytetarët gjirokastritë dhe jo vetëm, botimet e tyre më të mira. Mbi 550 pjesëmarrës të huaj nga vende si Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Turqia apo Polonia, do të jenë pjesë e këtij aktiviteti që ka siparin e vet në “Odeonin” në pjesën muzeale të qytetit.