Ushtria nigeriane e di se ku mbahen vajzat nga Boko Haram
Ushtria nigeriane thotë se ka arritur të zbulojë vendin se ku mbahen mbi 200 vajza të rrëmbyera nga Boko Haram, por nuk mund të ndërhyjnë pasi do të ishte me tepër rrezik. Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Nigerisë tha se ky është një lajm i mirë për prindërit e vajzave, por pranoi se për momentin nuk do të ketë një ndërhyrje ushtarake pasi sipas tij do të ishte e rrezikshme.
Më herët, gjatë së hënës u anulua në mënyrë të papritur nga qeveria e Nigerisë një marrëveshje që parashikonte lirimin e disa prej vajzave. Sipas marrëveshjes, e cila u anulua, 50 vajza do të liheshin të lira në këmbim të lirimit nga burgu të 100 militantëve islamikë.
Arsyet e anulimit të marrëveshjes janë të pa qarta. Qeveria e Nigerisë është nën presion për të bërë më shumë për të frenuar e për ti dhënë fund aktiviteteve të këtij grupi terrorist dhe për të liruar kësisoj edhe vajzat. Grupi Boko Haram rrëmbeu mbi 200 vajza nga një shkollë më 14 prill. Mijëra persona kanë vdekur që kur Boko Haram nisi një fushatë të dhunshme kundër qeverisë nigeriane në vitin 2009 dhe në fushatën e sigurisë që ndërmori shteti si kundërpërgjigje.