Dita e 7/ 19 të shkarkuar në çadrat e grevës së urisë, me ta dhe 5 ish-policë
Tiranë- Shkon në 19 numri i të larguarve nga administrata në çadrat para piramidës ku prej 21 majit po mbahet një grevë urie.Në orën 14:15 minuta ish-punonjësi i policisë Hivzi Bushati iu bashkua grevës së urisë së të shkarkuarve nga administrata. "Nuk është grevë politike, por buka e fëmijëve” tha Bushati për mediat.
(Në foto ish-punonjësi i policisë Hivzi Bushati, i cili iu bashkua grevës së urisë)Ndërkohë më herët, sot në ditën e shtatë të grevës së urisë të të shkarkuarve nga administrata në çadra iu bashkuan edhe 4 policë të liruar nga detyra në vitin 2013, të cilët kërkojnë nga qeveria Rama që të kthehen në punë pasi janë larguar në kundërshtim me ligjin.Ndërkohë rreth orës 12:58 minuta një përfaqësi e ambasadës amerikane ka shkuar pranë çadrës. Në këto momente grevisti Leonard Strazimiri u largua me urgjencë drejt spitalit.
( Në foto grevisti Leonard Strazimiri duke u transportuar për në spital)Policët që i janë bashkuar grevës së urisë janë Qamil Zhkaba, Shefki Lusha, Bledar Kruja dhe Ismail Elezi. Në çadrat e grevës vihet re edhe prezenca e ish-zëvendësdrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me bashkimin e policëve në çadrat e grevës janë gjithsej 17 grevistë.Lajmin e ka konfirmuar kryetarja e shoqatës së të larguarve nga administrata Nertila Qafzezi. Ndërkohë që një nga përfaqësuesit e oficerëve të liruar nga detyra është shprehur në një deklaratë për mediat, se i bashkohen kësaj greve, që të rikthehet ligjshmëria në polici duke rikthyer në detyrë të gjithë policë e larguar padrejtësisht.Ora 12:50 përfaqësuesi i policisë, i liruar: 650 policë janë larguar padrejtësisht“Nisur nga fakti që në muajin shtator të vitit 2013 në policinë e shtetit janë liruar nga detyra 650 punonjës policie, nga nivelet më të larta drejtuese e deri në nivelet zbatuese në shkelje të hapur të akteve ligjore dhe nënligjore. Me këto lirime masive në policinë e shtetit janë aplikuar pranime dhe emerime drejtuesish jashtë kritereve ligjore në shkelje të hapur të standardeve të menaxhimit të burimeve njerëzore, bazuar në kriteret politike dhe krahinore dhe për fat të keq një pjesë e tyre e inkriminuar, të faktuara edhe nga faktet dhe provat e komisioneve hetimore. Kemi një përkeqësim të treguesit të kriminalitetit në vend, sidomos atyre të trafiqeve, të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ulje të ndjeshme të parametrave të sigurisë në vend, çka ka krijuar shqetësime në opinionit publik. Duke qenë se qëndrimet tona kanë hasur në murin e heshtjes së drejtuesve aktualë të policisë së shtetit, ne si shoqatë e oficerëve të liruar nga detyra në vitin 2013, kemi vendosur që një pjesë e jona të ndërmarrim veprimin ligjor më ekstrem, futjen në grevë urie pa afat me kërkesë kthimin e ligjshmërisë në Policinë e Shtetit, nëpërmjet rikthimit në detyrë të të gjithë drejtuesve të policisë të liruar në kundërshtim me ligjin 9749 dt. 4.6.2007 për policinë e shtetit, rregulloren e personelit miratuar me vendim numër 804 datë 21.11.2007 të Këshillit të Ministrave dhe urdhrit numër 1277 datë 11.11.2009 të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit për miratimin e standardeve për menaxhuimin e burimeve njerëzore. Mbajtjen e organizatës së policisë jashtë bindjeve politike".Ora 12:45: Qafzezi: Grevës iu bashkuan edhe 4 policë të liruar nga detyra“Shoqatës së të larguarve nga administrata i është bashkuar edhe shoqata e policëve të larguar nga detyra. Janë 4 policë që i janë bashkuar grevës së urisë. Ne ndihemi akoma më shumë të motivuar për të vazhduar luftën tonë për të kërkuar të drejtën se njerëzit po sensibilizohen më shumë me kauzën tonë. Bashkë me policët në çadra janë 17 grevistë”, tha Qafzezi.Në një deklaratë për mediat nga çadrat e ngrituara para Piramidës, në orën 10:35 kryetarja e shoqatës së të larguarve nga puna, Nertila Qafzezi i ka kërkuar qeverisë dhe kryeministrit Rama që të dialogojë me ta për kërkesast që kanë, gjithashtu ajo është shprehur se nuk tremben nga presionet.Ora 10:35 Qafzezi: S’trembemi nga presioni, kryeministri të dialogojë“Jam këtu për t’i thënë qeverisë se nuk trembemi nga presionet. Ajo që presim nga ky kryeministër është që të vijë të dialogojë me ne, në të kundër këtu na ka”, u shpreh Qafzezi.Ndërkohë që deputeti i PD, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se ka hapur padi në prokurori ndaj Nertila Qafzezit, kryetares së shoqatës të të larguarve nga administrata.Ish-kryeministri Berisha e konsideroi këtë si një akt cinik ekstrem të Edi Ramës.Nga ana tjetër gjendja shëndetësore e disa prej grevistëve ka qenë e rëndë, çka i ka detyruar ata që herë pas here të lënë çadrat dhe i janë drejtuar bluzave të bardha për të marrë ndihmën mjekësore. Në mesnatë është kthyer në çadrat e grevës Sokol Ukperaj i cili u largua ditën e djeshme për shkak të problemeve shëndetësore.