"Zarfi mafioz" te Nishani, Ngjela: Pse hesht Presidenti, Rama e Prokuroria?
Tiranë- Katër ditë pasi ish-kryeministri, Sali Berisha, lëshoi “bombën” e radhës nga foltorja e parlamentit, ku akuzoi Kryeministri Rama se kishte tentuar të korruptonte Presidentin Nishani, avokati Spartak Ngjela dënon heshtjen e këtij të fundit mbi këtë çështje.Sipas Ngjelës është e patolerueshme që një deputet i zakonshëm të jetë në dijeni të një fakti kaq të rëndë, ndërkohë që nga Presidenti s’ka asnjë reagim, sikundër nga Kryeministri dhe organi i akuzës.“Pse hesht Presidenti i Republikës? Që nga e enjtja e javës së kaluar kur Sali Berisha deklaroi se “sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave i kishte shkuar me një zarf në dorë Prasidentit të Republikës për ta korruptuar”, janë plotësuar plot katër ditë. Nga gjithë ajo bombë, deri tani asgje. Vetëm heshtje. Pse s’flet Presidenti Nishani? Saliu tha se çeshtja i është denoncuar Prokurorit të Përgjithshëm nga Nishani. Deri tani asgjë. E shihni shtetin ku jetojmë? Nishani, President, nuk flet, kurse Saliu fjalëshumë, tregon se flet në mënyrë intime me Presidentin. Kurse Presidenti hesht, dhe nuk dihet nëse ka folur apo s’ka folur në mënyrë intime me Saliun. Po përse duhet të rrëfehët te Saliu Presidenti i Republikës? Çështë ky Saliu tani? Asgjë. Një deputet i zakonshëm. Po Llalla, Prokuror i Përgjithshëm, pse nuk i shprehet hapur opinionit publik, nëse ka marrë apo jo një denoncim nga Presidenti Nishani për këtë çeshtje. Asgjë. Me kë tallen këta pushtetarë, me popullin, me veten apo me historinë? Historisë nuk kanë se çfarë t’i bëjnë se e kanë të nxirë për veten faqen e saj. Por me shqiptarët nuk do të tallen dot gjatë. Po Kryeministri pse hesht, dhe përse nuk ia shpjegon opinionit publik, ka çuar apo s’ka çuar një sekretar të tijin me zarf te Nishani President? E shihni sesa e rëndë është gjendja në Shqipëri”shkruan Ngjela në fb.Duke mos përjashtuar mundësinë se kjo mund të jetë një gënjeshtër nga ana e Berishës, Ngjela shtron pyetjen sesi mund të lihet një njeri i tillë që të abuzojë pafundësisht. E nëse denoncimi është fakt, Ngjela kërkon reagim nga drejtuesit e shtetit.“E shihni se kush po e drejton shtetin shqiptar në vendet më kryesore të tij? Pse heshtin të gjithë këta pushtetarë. Ka mundësi që të ketë gënjyer Saliu, se ai e ka gënjeshtrën konstitucion psikik, por, si mund të lihet një njeri i tillë që të abuzojë pafundësisht? Ose, a ka pasur vërtet një sekretar të kryeministrit me zarf korruptiv në dorë te President i Republikës? Edhe një herë: Përse hesht Presidenti, dhe nga e mori vesh Saliu këtë fakt? Po kryeministri shqiptar, ku është, a nuk e di ai se ka përgjegjësi përpara opinionit publik shqiptar për të thënë të vërtetën? Ja, kjo është tabloja e një ngjareje të rëndë në qeverisjen shqiptare. Gjykoheni si të doni”.Seancën e së enjtes ish-kryeministri Berisha foli për një takim mes Nishanit dhe një personi të cilin sipas tij, një i afërm i Ramës, i cili ishte dhe zëdhënësi i mafies shqiptaro-italiane.Takimi ka të bëjë me zarf të cilin sipas Berisha ia ka dhënë presidentit për të mbyllur disa çështje.Në kundërpërgjigje Rama e quajti opozitën “tap-topi” , ku sipas tij nuk i ka dalë ende pija e pushtetit të humbur. Sipas Ramës në prillin e këtij viti janë arrestuar 30% më shumë trafikantë se prillin e vitit të kaluar dhe kjo gjë nuk ka pse ju shqetëson.