Statusi, Rama: Besimplotë se vendet anëtare s'do t’i bishtnojnë angazhimit të dhjetorit
Hollandë- Kryeministri, Edi Rama, është shprehur optimist pas përmbylljes së takimeve me zyrtarë të lartë të Hollandës. Duke folur për mediat, Rama u shpreh shpresë plotë se përmbyllja e zgjedhjeve europiane nuk do të përsërisë dhjetorin e shkuar lidhur me vendimarrjen për statusin e vendit tonë në BE.“Takime intensive, bashkëbisedim i hapur, dëshirë nga ana e miqve dhe partnerëve holandezë për të na dëgjuar deri në fund. E mbi të gjitha, sinqerisht, krenari për punën e bërë në gjithë këta muaj, e cila jo vetëm shihet dhe jo vetëm vlerësohet, por përbën një bazë shumë solide për të folur hapur dhe për të kërkuar atë që na takon. Atë që na takon, që duhet ta kishim marrë që në dhjetor, ka më shumë arsye për ta marrë në qershor, dhe që shpresojmë se me fundin e zgjedhjeve europiane do të jetë më e lehtë për të mos e lënë pre të debateve dhe paragjykimeve të brendshme të disa vendeve anëtare, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar dhe siç është fare e qartë, sot e gjithë ditën, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe për të gjithë ata që njohin sadopak si funksionon Europa e sotme” tha Rama.Kreu i shtetit shprehu bindjen se progres-raporti do të jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare.“Ne kemi bindjen që Progres-Raporti do të jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare. Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një Raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen.Të shohim, sepse Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme, dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e të ardhmes së vetë me problemet e të sotmes” përfundoi Rama.Gjatë qëndrimit në Hollandë, Rama zhvilloi takime me autoritete të larta të shtetit hollandez.Në takimin me homologun Mark Rutte, Kryeministri shqiptare informoi për reformat dhe nismat e qeverisë sidomos kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, që përbëjnë edhe kriteret kryesore për të përparuar në rrugën integruese.Nga ana e tij, Kryeministri Rutte përgëzoi homologun Rama për progresin real që Shqipëria ka shënuar këto muaj dhe mbështetjen për vazhdimin në rrugën e reformave.