Nishani-Shamir: Mirëpresim biznesin izraelit për investime konkrete në Shqipëri
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Izraelit, Yair Shamir, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.Pas shkëmbimeve të mirësjelljes, Presidenti Nishani vlerësoi prirjen e kohëve të fundit për intensifikimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe vuri në dukje se ekziston vullneti dhe dëshira e përbashkët që ky bashkëpunim dhe dialog të ruajë këtë dinamikë zhvillimi, në nivelet më të larta politike, për t`i shërbyer konkretizimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rritjes cilësore të marrëdhënieve tona.Më tej, Presidenti tha se është i mirëpritur angazhimi i Qeverisë Izraelite për të nxitur interesin e biznesmenëve izraelitë për të bërë investime konkrete në Shqipëri dhe sugjeroi që, për shkak të pozitës gjeografike dhe zhvillimeve pozitive në rajon, vendi ynë të shihet si pjesë dhe portë hyrëse e tregut rajonal dhe më gjerë.Kreu i Shtetit nënvizoi se ka shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona në fushën e bujqësisë, ku eksperienca izraelite është veçanërisht e mirëpritur, si nga më të avancuarat dhe shtoi se ka potenciale të pashfrytëzuara bashkëpunimi edhe në fushat e turizmit, teknologjisë së informacionit dhe shfrytëzimit të ujërave, arsimit, shkencës dhe kulturës.Nga ana e tij, Ministri izraelit Shamir u shpreh se kjo vizitë zhvillohet në vazhdën e takimeve të nivelit të lartë në Izrael dhe është shprehje e miqësisë dhe bashkëpunimit shqiptaro-izraelit që kanë rrënjë të thella historike dhe e siguroi Presidentin se, në vijim, pala izraelite do të sjellë më shumë eksperiencë në fushën e teknologjisë dhe “know how”.Presidenti Nishani dhe Ministri Shamir evidentuan ndjenjat e simpatisë së ndërsjellë ndërmjet dy popujve tanë dhe rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit dhe, në këtë frymë, u shprehën optimistë për të ardhmen e lidhjes dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit.