Izraeli ‘sytë’ te produktet shqiptare, ofron mbështetje në teknologji
Tiranë- Izraeli e kthen vëmendjen tek prodhimet bujqësore shqiptare si pasojë e marrëdhënieve jo të mira me vendet që e rrethojnë, por edhe si rezultat i një terreni të papërshtatshëm. Ministri i Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural të Izraelit, Yair Shamir, theksoi se ofron mbështetjen e shtetit të tij sidomos nga ana teknologjike.“Izraeli është një vend i vogël. Gjysma e vendit është shkretëtirë. Ne kemi mungesë në ujë dhe fuqi punëtore. Rinia po orientohet më tepër në fushën e teknologjisë sesa në atë të bujqësisë dhe ne duhet ta kapërcejmë këtë problem. Nga ana tjetër, është një vend i rrethuar nga vende që nuk janë shumë miqësore. Ne duhet të prodhojmë dhe të sigurojmë ushqim të bollshëm dhe të shëndetshëm për popullsinë tonë. Dhe këtë e kemi realizuar nëpërmjet teknologjive të avancuara dhe inovacionit në bujqësi. Ndaj këto teknologji dëshirojmë t'i ndajmë me ju, me miqtë tanë. Ne kemi shumë teknologji të avancuara që mund t'i vëmë në përdorim dhe mund të sigurojmë të ardhura të shumta përmes tyre”tha ai.Ndërkohë ministri, Edmond Panariti, deklaroi se me interes për Izraelin janë sidomos perimet,shpendët dhe qumështi.“Prezenca e z. Shamir konfirmon vullnetin e shtetit Izraelit për intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Shteti i Izraelit sot është shumëi pranishëm në Shqipëri, ku padyshim vend kryesor zë fusha e bujqësisë.Në prioritet të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve, zë rritja e investime me impakt në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore shqiptare dhe futja e teknologjive të përparura.Shqipëria është projektuar drejt të ardhmes së saj evropiane” theksoi kreu i Bujqësisë, ndërsa ftoi investotët izraelitë të shtojnë sipërmarrjet në tregun bujqësor dhe agropërpunimin shqiptar.