Statusi, Bushati me homologun danez: Reformat e kryera, dëshmi e angazhimit të qeverisë

Danimarkë- Gjatë vizitës zyrtare në Danimarkë, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit në takim nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës Martin Lidegaard. Vizita e Ministrit Bushati në Danimarkë përkon dhe me 44 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe.Në takim mes dy Ministrave u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe u nënvizua domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët.Në takim Ministri Bushati nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në BE mbetet një prioritet madhor që gëzon një mbështetje të gjerë nga shqiptarët dhe nga i gjithë spektri politik.Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se reformat e kryera dhe progresi i arritur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbejnë një dëshmi të qartë të vullnetit dhe angazhimit të plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor.Duke vlerësuar mbështetjen e Danimarkës për integrimin e Shqipërisë në BE, Ministri tha se mbetet shpresëplotë se mbështetja daneze do të jetë e plotë dhe pozitive për vendimin që do të merret muajin e ardhshëm.Nga ana e tij, Ministri Lidegaard vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe siguroi për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.Po ashtu, ai vlerësoi edhe rolin konstruktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajon.Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi në fushën ekonomike duhet të forcohet edhe më tej në fusha të tilla si: energjia, agrobiznesi, turizmi, tregtia, etj.Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, perspektiven evropiane dhe euro-atlantike si dhe për zhvillimet në Ukrainë pas zgjedhjeve të 25 majit. Ministri Lidegaard vlerësoi qëndrimet dhe reagimet e Shqipërisë për situatën në Ukrainë.Gjithashtu palët gjatë bisedës i kushtuan rëndësi të veçantë zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Evropian.