Ushtria aksion pastrimi edhe në Shirokë, pushteti vendor “hesht”

Shkodër- Pas Velipojës, pika turistike Shirokë - Zogaj ka qënë ndalesa e radhës e forcave te armatosura në aksionin e tyre për pastrimin e mbetjeve urbane në territorin shqiptar. 120 ushtarë dhe 8 automjete u angazhuan në largimin e mbetjeve në vijën liqenore, këto të ndihmuar edhe nga reparti i PMNSZH Shkodër.Drejtori i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Shkodrës, Pëllumb Dani, i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe institucioneve që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të mjedisit, ndërsa falenderon ushtrinë për këtë angazhim.Prej disa muajsh, forcat e armatosura janë të përfshira në këtë aksion kombëtar të qeverisë Shqiptare për pastrimin e territorit nga mbetjet urbane dhe inertet.Por ndërsa ushtria bëri largimin e mbetjeve këtë fundjavë në Shirokë, ajo që ra në sy ishte indiferenca e pushtetit vendor, që ka detyrim patrimin e territorit që administron.Ndërtimet pa leje të prishura prej më shumë se një viti vijojnë të qëndrojnë stok në qëndër të Shirokës, duke i prishur bukuritë kësaj pasurie kombëtare dhe nga ana tjetër bashkia vijon të mos reagojë.