Presidencialet në Ukrainë, 47 vëzhgues të KVV do të monitorojnë zgjedhjet
Tiranë- 47 aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë janë bërë pjesë e Misionit të Vëzhgimit Ndërkombëtar të ENEMO-së, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e parakohshme Presidenciale në Ukrainë.Dy prej organizatave drejtuese të Koalicionit të Vëzhguesve Vendore, organizata KRIIK Albania dhe Shoqata për Kulturë Demokratike, si anëtare të Rrjetit Europian të Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO), bënë të mundur dërgimin e 6 Vëzhguesve Afatgjatë dhe 41 Vëzhguesve Afat-shkurtër, nga 382 vëzhgues të akredituar nën logon e ENEMO-s për zgjedhjet e ditës së nesërme.Zgjedhjet e së dielës së 25 majit në Ukrainë do të monitorohen nga një numër prej 3305 vëzhguesish nga 20 Organizata Ndërkombëtare si edhe nga 302 vëzhgues të tjerë (individë) nga 19 Vende të Huaja.Misioni i Vëzhgimit të ENEMO-s do të publikojë të hënën pas mbylljes së procesit të votimit, deklaratën paraprake të gjetjeve, si dhe brenda dy muajve raportin final të vëzhgimit.