Gjuetia e pacientëve të pa shpresë, mjeku i rremë: Unë shërues i kancerit
Nga Dashamir BiçakuNjë grua nga Kukësi denoncoi në polici Avni Lipen, pasi kishte përjetuar një muaj të tërë ankth për një sëmundje që nuk e kishte.“E kisha parë në Spitalin Ushtarak, ndaj edhe besova në fillim”. Policia sekuestron bllokun me 145 pacientë, të cilët kanë paguar deri në 1 milion lekë për ilaçet.Një grua nga Kukësi, nënë e një djali 7-vjeçar, është një nga dhjetëra “viktimat” e Avni Lipes, 55-vjeçarit nga Bilishti, i arrestuar për mashtrime me të sëmurët nga kanceri. Gruaja, e cila kishte kaluar javë të tëra ankthi, u përplas në dyert e policisë vetëm pasi zbuloi se nuk rrezikonte vërtet jetën. “M’u prezantua si mjek popullor dhe më merrte 250-300 mijë lekë për çdo seancë. Fillova të dyshoja kur nisi të shtynte seancat e trajtimit”, – ka pohuar denoncuesja për policinë. Gruaja nga Kukësi kishte përfunduar në duart e Avni Lipes me rekomandim të një të njohurit të vet në Tiranë. Ai i kishte thënë se 55-vjeçari ishte mjek alternativ dhe kishte zbuluar një kurë për shërimin e kancerit. “Nuk isha diagnostikuar ende mirë, por dyshoja se kisha kancer. Lipen ma prezantuan si mjek të zotë, që merr përsipër raste të vështira”, – ka thënë për hetuesit gruaja nga Kukësi. “Erdha në Tiranë dhe u takova me këtë mjekun. Sapo e mora në telefon më tha që po vij në moment”, – ky mësohet se ka qenë komunikimi i gruas me mjekun Lipe. Sipas burimeve të policisë, gruaja e ka takuar disa herë mjekun, por në asnjë nga takimet ajo nuk është bindur se Lipe ishte realisht një njeri që kishte aftësi shëruese e aq më pak si mjek popullor alternativ.“Nuk u binda asnjëherë se ai mund të ishte mjek popullor, sepse nga sa e shihja nuk kishte seriozitet edhe pse mundohej ta mbante veten”, – mësohet t’iu ketë thënë gruaja hetuesve.Për disa herë ajo kishte folur me Lipen pas prezantimit dhe kishte biseduar me të.Sipas simptomave që gruaja mësohet se i kishte rrëfyer “mjekut” të akuzuar për mashtrim, ky i kishte thënë edhe se çfarë efektesh mund të kishte nëse ajo nuk vazhdonte mjekimin. Por veç kësaj mësohet se gruaja kishte kryer edhe një analizë gjaku, të cilën e kishte parë Avni Lipe dhe i kishte thënë se elementët në gjak tregonin se ajo vuante nga sëmundja e rëndë. “Jeta jote është në rrezikon, ndaj duhet të mjekohesh patjetër me ilaçet e përgatitura nga unë”, – mësohet t’i ketë thënë ai pacientes. Kjo e ka bërë gruan që së pari të dyshojë, edhe pse vetë kishte përjetuar momente të tmerrshme ankthi.“Ti vuan nga kanceri”, – mësohet t’i ketë pohuar gruas Lipe, ndërsa më parë kishte mësuar prej saj se ajo dyshonte se mund të kishte ndonjë kist. Sipas burimeve të policisë, gruaja iu kishte pohuar se kishte kryer edhe një analizë gjaku disa ditë më parë. Nga kjo analizë Lipe kishte marrë sipas saj edhe konfirmimin e plotë se ajo vuante nga një sëmundje e rëndë. Gruaja iu tha oficerëve të policisë se sa herë ajo kishte mbërritur në Tiranë, mjeku kishte qenë mjaft korrekt me takimet.Një element tjetër sipas gruas që ka bërë të ndihej e dyzuar ka qenë edhe fakti se ajo shpeshherë e kishte parë Lipen në ambientet e Spitalit Ushtarak në kryeqytet, ku edhe parkonte makinën. Hetuesit e policisë të cilët e kanë mbajtur nën vëzhgim, konstatuan se ai në të vërtetë, herë pas here futej në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku shikonte të gjente ndonjë pacient. Teksa gjente pacientë të pashpresë, Avni Lipe fillonte të vinte në lojë aftësitë e tij bindëse, duke marrë përsipër kurimin e sëmundjeve nga më të rënda. Gjatë arrestimit policia ka gjetur në shtëpinë e Avni Lipes një listë me 145 emra, të cilët mendohet se janë mashtruar prej tij. Nga ana tjetër, policia është në kërkim të ilaçeve që ai përdorte për kurimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera. Vetë Lipe ka pohuar në polici se ishte mjek alternativ, por verifikimet e kryera nga policia kanë zbuluar se ai nuk ishte regjistruar si i tillë. Pacientët paguanin tek ai deri në 1 milion lekë të vjetra për kurën e patestuar nga asnjë laborator dhe autoritet. Policia është tashmë në kërkim të pacientëve të tjerë që janë kuruar tek 55-vjeçari e që madje janë mashtruar prej tij.Momenti i arrestimit të mjekut LipeMesditën e së shtunës, gruaja e instruktuar nga oficerët dhe specialistët e Antikrimit Ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Tiranës shkoi të takonte Avni Lipen. Këta të fundit dyshonin se kishin të bënin me një rast mashtrimi ose me një rast korrupsioni nga ndonjë mjek profesionist. Sipas burimeve, të shtunën në mesditë gruaja duhej të bënte pagesën e parë tek mjeku, pagesë që shkonte në masën e 150 mijë lekëve të reja dhe më pas duhej të merrte një ilaç të supozuar nga shëruesi. Më parë gruaja kishte regjistruar bisedat telefonike dhe po ashtu edhe në tavolinë, ku ajo arriti të regjistrojë bisedën me një mjet të dhënë nga policia. Sapo mori paratë, mjeku shkoi të paguante birrën dhe paratë e porosisë së tavolinës, por është bllokuar nga gruaja që pengoi të bënte pagesën me këto para, pasi ato ishin të regjistruara nga policia. Sapo ai mori paratë dhe u largua nga lokali, policia ndërhyri duke e arrestuar në flagrancë dhe duke i bllokuar paratë. Në polici, Lipe ka thënë se është mjek popullor, por nuk ka pranuar të bashkëpunojë më tej me autoritetet.Marrë nga Gazeta Mapo/