Kuvendi miraton me 74 vota pro ndryshimet në ligjin për legalizimet, opozita nuk merr pjesë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 74 vota pro asnjë abstenim dhe pa praninë e opozitës projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar”.Ky projekt ligj parashikon që në mandatin e parë të përfundojë një pjesë e mirë e legalizimeve. Në fjalën e tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vuri theksin se procesi i legalizimeve do të jetë falas dhe do të përfundojë këto 8 vite me radhë. Sipas Ramës janë 300 mijë ndërtime pa leje, ndër të cilat 270 mijë janë vetëdeklarime. Ndërkohë, Rama tha se janë pajisur me leje legalizimi 21900 qytetarë, ndërsa 15 mijë familjeve iu është legalizuar banesa.“Procedurat e legalizimit janë bërë me shpejtësi brenda një nate në mënyrë selektive. Parlamenti do të votojë për 20 mijë familje, që u mashtruan dhe rivotuan ata që sot erdhën këtu për të na hedhur neve baltën e keqqeverisjes së tyre. Këto familje meritojnë vëmendjen e plotë dhe bazën e plotë ligjore për ta mbyllur këtë proces”, deklaroi Rama.Edhe LSI e mbështet këtë projektligj, duke e parë të favorshme në rrafshin ekonomik dhe social. LSI apelon për një zbatim të mirë dhe rigoroz.“Projektligji paraqitet i studiuar me kujdes. LSI duke e parë të favorshëm në rrafshin ekonomik dhe social e përkrah këtë projektligj duke apeluar për një zbatim sa më të mirë dhe rigoroz. Tensioni politik është i panevojshëm. Legalizimi është një çështje që duhet konsideruar e mbyllur sa më shpejt, prandaj grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim voton pro këtij projektligji”, theksoi në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Gjovalin Kadeli.Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Eduard Shalsi deklaroi se të djathtët u tallën 8 vite me qytetarët duke u premtuar legalizime.“Keni shansin dhe mundësinë për të hapur një kapitull të ri, një premtim shqiptarëve që nuk ka të bëjë vetëm me legalizimin, pasi nuk është qëllim në vetvete, por është integrimi i banorëve. Ne nuk do të presim 4 vjet”, tha Shalsi.Projektligji u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.