Shkodër, ekzekutohet me kallashnikov 24-vjeçari, arrestohet autori
Shkodër-Një 24-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pas një debati me një të njohurin e tij 17-vjeçar, me të cilin po qëndronte në një lokal.
Ngjarja e rëndë u shënua të enjten në fshatin Hot i Ri të Komunës Rrethina. Viktima u identifikua si Altin Koçeku, ndërsa autori i saj akuzohet Alban Lulashi.
Dëshmitarët thanë se dy të rinjtë po qëndronin në një tavolinë, kur në një moment debati degjeneroi në fyerje të rënda.
Në mes të këtij debati, 17-vjeçari Lulashi është larguar drejt banesës së tij prej nga ku është kthyer me një kallashnikov në dorë.
Në kohën kur 24-vjeçari po i drejtohen mjetit të tij aty pranë, 17-vjeçari ka shkrepur ndaj tij një breshëri plumbash. Për pasojë 24-vjeçari ka marrë disa plumba në organet jetësore ndërsa është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodres nga banorë të zonës por sapo është futur në sallën e kirurgjisë ka humbur jetën, për shkak të hemoragjisë.
Ndërkaq në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë dhe ata të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët bënë shoqërimin e 17-vjeçarit të dyshuar për vrasjen. Brenda harkut kohor të një jave, 24-vjeçari është viktima e dytë që është vrarë nga shoku i tij me të cilin ka qënë në një tavolinë. Që nga janari i 2014 në qarkun e Shkodres janë shënuar 8 vrasje nga të cilat janë zbardhur 3 prej tyre ku autorët e krimit janë arrestuar nga policia, ndersa 5 ngjarje kanë mbetur të pazbuluara.