Dita ndërkombëtare e familjes, Shqipëria i bashkëngjitet nismave botërore
15 Maji njihet si “Dita ndërkombëtare e familjes”.Kjo datë përkujtohet në të gjithë botën, që nga viti 1993, kur “ Asambleja e Pergjithshme e Kombeve të Bashkuara” e shpalli “Ditë të familjes”.Familja si shtyllë e çdo shoqërie, mbrohet nga Kombet e Bashkuara me “Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut”.Avokati i Popullit, Igli Totozani me anë të zyrës së shtypit , vlerëson se familja përbën bërthamën e çdo shoqërie dhe sot apeli më i fortë është për më shumë vëmendje ndaj institucionit të familjes.“Familja është motorri i zhvillimit për një shoqëri të shëndoshë ku edukimi dhe shkollimi i fëmijëve është çelësi i suksesit.Kjo gjithashtu nënkupton vëmendjen më të madhe ndaj problematikave që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Konkretisht institucionet vendimmarrëse duhet të ndërmarrin politika lehtësuese për familjet e reja, për punësimin, strehimin, si një hallkë mjaft e rëndësishme e ruajtjes së familjes apo edhe ndihmesën ekonomike, shëndetësore ndaj familjeve në nevojë".Dita ndërkombëtare ofron një mundësi për të promovuar ndërgjegjësimin për çështjen që lidhen me familjen dhe për të rritur njohuritë e proceseve shoqërore, ekonomike dhe demografike që ndikojnë në familje.“Institucioni i Avokatit të Popullit do të intensifikojë punën e tij të mëtejshme, që problematikat që shqetësojnë sot familjet shqiptare dhe që pengojnë evoluimin e shoqërisë, të mund të luftohen me mjete ligjore, politika lehtësuese dhe nisma konkrete nga ana e administratës shtetërore. Gjithashtu angazhimi ynë më i madh është dhe do të jetë mbrojtja e grupeve vulnerabël, si shtresa më e pambrojtur dhe më e vuajtur e familjes shqiptare”,- ka qenë fjala e zyrës së shtypit të Avokatit Të Popullit në ditën ndërkombëtare të familjes.