Pro-rusët vënë ultimatum Kievit: Largohuni brenda 24 orëve

Ukrainë- Forcat separatiste pro-ruse kanë deklaruar në mesnatë një ultimatum prej 24 orësh për forcat ushtarake ukrainase: ato duhet të tërhiqen brenda 24 orëve nga Republika e pavarur e Donjetskut.Lajmi është bërë publik nga mediat ukrainase, të cilat citojnë komandantin e ushtrisë ruse në kufirin lindor me Ukrainën, i cili mesnatën e të enjtes ka kërcënuar se në rast se nuk do të ketë tërheqje të trupave të Ukrainës, situata mund të precipitojë në sulme të armatosura, duke e lënë kështu zgjidhjen në dorën e trupave ukrainase."Nëse makinat e blinduara dhe tanket nuk janë larguar dhe nëse blloqet e vëna në rrugët kryesore nuk lëvizen, nuk duhet më pas të ketë hatërmbetje, ne kemi të gjitha mjetet e duhura për të shkatërruar dhe për të djegur gjithçka. Grupet e sabotazhit janë gati të bëjnë gjithçka kundër gjithkujt" citohet të ketë thënë komandanti rus Serghiei Zdriliuk.Ndërkaq në Kiev kanë nisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, bisedimet për paqen në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ti dhënë fund krizës politike në Ukrainën Lindore, rajon i cili është kthyer muajin e fundit në një teatër sulmesh të herëpashershme mes separatistëve pro-rusë dhe trupave ushtarake të Kievit.Por sipas analistëve, pavarësisht përpjekjeve, pak shanse ka që të arrihet në një marrëveshje. Në takim marrin pjesë ministra të Kievit, liderpolitikë, sipërmarrës dhe zyrtarë rajonalë por në takim nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i filorusëve.Tensionet në vend pritet të shtohen në ditët në vijim, në një kohë që vendi përgatitet për zgjedhjet presidenciale të 25 majit, i cili pritet të legjitimojë edhe qeverinë e re të vendit.E ndërsa këto zgjedhje konsiderohen si legjitime e kanë marrë mbështetjen e perëndimit, Rusia shprehet totalisht kundër. Madje Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, Ukraina po i afrohet gjithnjë e më shumë një lufte civile.