Karriera e Bamir Topit, 50 deklaratat më bujshme të politikanit

Kreu i FRD-së ish presidenti Bamir Topi ishte mbrëmë i ftuar në "Debati në Channel One" të gazetarit Roland Qafoku. Në këtë emision u prezantua edhe inserti me 50 deklaratat më të rëndësishme që Topi ka bërë gjatë karrierës së tij si politikan.1. 27 GUSHT 2005 “E majta ka argumentimin që bëjnë eksponentët e PS dhe që ekziston, thjesht si një nocion politik, por që realisht nuk konsiderohet si një formacion unik, kështu që nga kjo pikëpamje nuk duhet të përdoret si argument për të thënë se e majta ka fituar zgjedhjet”.2. Unë, kohë pas kohe, kur më është drejtuar një pyetje lidhur me pozicionin e zotit Rama, pa dashur t’i jap rëndësi më shumë se ç’duhet, e kam komentuar në funksion të një lëvizje të tij, si një lëvizje mjaft kaotike, shpesh e paarrirë metodikisht.3. E kemi parë zotin Rama, si përzihej nga niveli i pushtetit lokal në qëllime të dukshme në nivel qendror, pa dhënë asnjë lloj alternative dhe i erdhi shansi për arritjen e qëllimeve të veta. Shpesh herë e kemi parë si një individ të izoluar, shpesh herë si një individ me një psikologji tepër arriviste, shpesh herë si psikologji me tendenca afatgjata.4. 24 KORRIK 2007 “PASI U ZGJODH PRESIDENT: Më lejoni të shprehem solemnisht, në fjalimin e parë si President i Shqipërisë, se do të përmbush me korrektësi dhe vendosmëri, të gjitha detyrimet kushtetuese, që burojnë nga ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta e Shqipërisë, ligjet e vendit, duke u bërë garant i tyre dhe ruajtës i lirive dhe të drejtave themelore të popullit tim.5. Sot, dal nga politikat partiake dhe bindjet përkatëse, jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të qenësishme për misionin që kam mbi supe të kryej. Pozicioni im nuk i takon më një pjese, qenia ime i takon së pari qytetarit, i cili projekton bindjet e tij demokratike në partitë politike, që do të thotë se nga ky çast, e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në institucionale, në respekt të ligjeve dhe interesit kombëtar.6. Jam i prirur të besoj dhe të inkurajoj mazhorancën politike, që të japë mesazhet e bashkëpunimit dhe të krijimit të hapësirave të nevojshme demokratike për opozitën, në realizimin e reformave në institucione, në ekonomi dhe jetën shoqërore, ku në fokus duhet të jetë reforma në sistemin e drejtësisë. Kam bindjen se debati i kualifikuar parlamentar e publik, do të ballafaqojë vazhdimisht qeverinë dhe opozitën, si rregulli themelor i demokracisë parlamentare. Këtë privilegj do ta justifikoj duke dhënë gjithçka nga përvoja ime dhe duke vënë angazhimin tim për interesat e vendit tim.7. 24 KORRIK 2007 “GJATË CEREMONISË SË MARRJES SË MANDATIT: Ndihem i nderuar që jam zgjedhur në detyrën më të lartë të shtetit shqiptar dhe i privilegjuar që të mund të flas e të veproj në emër të popullit tim! E natyrisht, që këtë privilegj do të di ta justifikoj, për të dhënë gjithçka nga përvoja dhe vetja në shërbim të vendit tim”.8. Kam qenë jo pak vite protagonist aktiv i një partie politike, por tashmë nuk e kam më të drejtën të mendoj si i tillë.Tani duhet te mendoj si President i Republikës, në lartësinë e përgjegjësisë që kërkon kjo detyrë.9. Duke falënderuar të gjithë ata që besuan tek unë, do doja të garantoja se pavarësisht nga eksperienca ime politike do të punoj me të gjitha energjitë e mia për të qenë presidenti i të gjithë shqiptarëve, duke pasur si bazë ndershmërinë, vlerat qytetare dhe transparencën, me të cilat jam edukuar e të cilat më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës time.10. 7 GUSHT 2007 në regjimentin komando: “Së pari, unë do të mbështes objektivin tuaj madhor, për zhvillimin e një force ushtarake të motivuar tërësisht profesioniste 2010, jo thjesht në këndvështrimin sasior e numerik të saj, por në radhë të parë në cilësi e vlera profesioniste në interes të përmbushjes së misioneve dhe kërkesave të taksapaguesve shqiptarë me shërbimet më komplekse të sigurisë, që i njeh ligji, në tokë, në ajër apo në det”.11. Do të mbështes përpjekjet tuaja që kjo forcë profesioniste të jetë e motivuar dhe moderne, duke i alokuar burime të mjaftueshme financiare prej 2% të GDP, duke filluar nga viti 2008. Unë do t’ju mbështes në zhvillimin e një forcë të armatosur të pajisur, të trajnuar dhe të ndërveprueshme, që ta adresojë vendin drejt integrimit të merituar, në Aleancën Euro- Atlantike.12. 28 NËNTOR 2007 “95 vjet që nga 28 nëntori 1912, nuk janë shumë, por as edhe pak, për një shtet të vogël si Shqipëria! Teksa bëjmë këtë bilanc, pothuaj shekullor, e lidhim pikërisht me simbolin që na mundësoi realitetin e të shpallurit të pavarur. Plaku i mençur Ismail Qemali, bashkë me firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, mbeten pa dyshim, figurat identifikuese që ngritën flamurin në Vlorë, bashkë me shumë patriotë të tjerë, të cilët braktisën karrierat e postet e larta administrative që mbanin, për t’u kthyer në këtë vend që rrezikonte copëtimin”.13. 2007 “Një gazetar i njohur shqiptar, nën urdhrat e shërbimit të fshehtë serb, kishte tentuar të dëmtonte vizitën e Kryetarit të Shtetit në Kosovë. Po, është e vërtetë çfarë kam thënë atëherë dhe është e vërtetë që ai individ – mos ma kërkoni mua emrin e tij. Ka disa muaj që është shpërblyer me një post të lartë dhe paguhet si funksionar i shtetit shqiptar”.14. 2007 “Si president i Republikës kam pasur kontakte me kryeprokurorin Theodhori Sollaku dhe është diskutuar mbi nevojën për reformim. I kam këkruar të bëhet pjesë e reformës. Dhe i kam kërkuar që të japë një sinjal për të gjithë janë eksperienca botërore kur një çështje sado e vogël ku njeriu duhet të reagojë me tërheqje. Presidenti nuk ka kompetencë ekskluzive për heqjen e kryeprokurorit.15. 2007 “Ben Blushi, ky personazh, po jeton me dramën e dështimit të tij. Në një moment të caktuar në politikë, në parlament kemi pasur pozicione ekuivalente, si kryetarë grupesh. Në një moment, njëri hipën në pozicionin më të lartë të shtetit, tjetri përfundon në një pozicion anonim, që nuk ka asnjë lloj përfaqësimi”.16. 2007 “Jo çdo njeri që merret me ligjin merr vesh nga ligji; Ben Blushi ka konsumuar elementë që i referohet Kodit Penal dhe që kanë të bëjnë me shpifjen ndaj institucionit të presidentit. Po t’i referohemi nenit 42 të kushtetutës do ta gjeni fare mirë, se çfarë pasojash ka një personazh, qoftë ky i veshur me imunitet, kur bën shpifje ndaj presidentit të Republikës.17. 2007 “Kosova e meriton mëvetësinë e saj. Gjykoj se çdo vonesë pas numërimit mbrapsht të 120 ditëve të Trojkës, mund të çojë në shpërthimin e dhunës, ashtu siç mund të pohoj se statusqua-ja nuk është situatë e qëndrueshme, por bllokuese. Kosova, siç po konstatojnë, do të shkojë drejt pavarësisë së saj që në terminologjinë shqiptare i themi “mëvetësi”.18. 26 GUSHT 2010 “Jam i bindur që në kujtim të Nënë Terezës dhe veprës së saj, ne shqiptarët duhet të bëjmë më shumë se të tjerët, por kjo rrugë që do të ndërtohet dhe shumë veprimtari të tjera që institucionet shqiptare kanë zhvilluar gjatë këtij viti, më lejojnë të vë në dukje e të theksoj se jemi në rrugën e duhur”.19. 5 PRILL 2010 “Harmonia nuk është një dhuratë që dikush ia ka bërë këtij vendi dhe ajo nuk rri gjithmonë në gjendje statike. Ajo plazmon ngrehinën shpirtërore të ndërtuar me kontributin e shqiptarëve ndër shekuj!”20. Harmonia shfaqet qartë edhe në Kodin Zakonor të shqiptarëve, një kod ky, i përvijuar rreth traditës së besës dhe mikpritjes me kumtin “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, ka përcaktuar herët raportin e shqiptarit me Perëndinë.21. Përfitoj nga ky rast, që t’i përshëndes dinjitarët e nderuar fetarë, Haxhi Selim Muça, Fortlumturinë e tij Janullatos, Imzot Rrok Mirditën, Haxhi Dedë Reshat Bardhin - këta udhëheqës shpirtërorë e largpamës, punëtorë të palodhur të dialogut shoqëror e ndërfetar, kontribues të palodhur në zhvillimet demokratike të vendit.22. Veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, ajo e Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës, apo Fan Nolit janë “një sintezë e mahnitshme e shpirtit të këtij kombi në të cilin islami, ortodoksia dhe katolicizmi harmonizohen”.23. 23 SHTATOR 2010 “Shqipëria mendon se roli i OKB-së mbetet i fuqishëm, koherent dhe i pazëvendësueshëm, në qendër të një dinamizmi global efektiv. Mbi të gjitha, Shqipëria, sot anëtare e NATO-s, me një stabilitetit të brendshëm demokratik po kërkon një pozitë ndërkombëtare në rritje, si një kusht për zhvillimin e saj afatgjatë”.24. Opinioni këshillimor i GJND-së provoi juridikisht se pavarësia e Kosovës mbeten rast “sui generis”, unik dhe për pasojë, as precedent për situata të tjera në vende të tjera.25. Sot është çasti të provojmë me fakte se respektojmë OKB-në dhe vlerat që të gjithëve na kanë bashkuar këtu, sot është dita të dëshmojmë se mbështesim autoritetin e saj dhe të institucioneve të pavarura të saj, sot është rasti të pranojmë të vërtetën dhe ta pohojmë me zë të lartë atë.26. 2 NËNTOR 2010 “Sot Shqipëria ndodhet, ashtu siç thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, në oborrin e jashtëm të shtëpisë evropiane dhe presim të na hapen dyert që të hyjmë brenda”.27. Sigurisht, asaj shtëpie të madhe, secili synon t’i ofrojë diçka sa më të bukur nga vend i tij. Unë jam shumë i lumtur që dhe ne shqiptarët, kemi një gjë shpirtërore kaq të veçantë e përfaqësuese të qytetërimit tonë, që mund ta bashkëndajmë me familjen tonë europiane - modelin e të jetuarit në harmoni të plotë, si vëllezër, mes besimeve dhe feve të ndryshme.28. 2011 “Duhet të ndajmë të gjithë disponibilitetin që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjyqtarët, por kjo nuk duhet të mbetet thjesht në shprehjen e gatishmërisë, por duhet të institucionalizohet! Kështu që unë ju bëj thirrje, zoti Spahiu, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të shprehet haptas për këtë! Në një shoqëri të hapur, në një shoqëri që duhet të shkojë në modelet e vendeve të Bashkimit Evropian, imuniteti është i pavlefshëm.29. 18 PRILL 2011 “Si President, si politikan me një karrierë relativisht të gjatë, por dhe si qytetar, e di se disa prej jush këtu në Vlorë, si edhe në qytete e komuna të tjera të vendit janë në dilemë nëse duhet marrë pjesë në zgjedhje, nëse produkti i tyre ka vlerë, nëse vota ndryshon diçka në jetën tonë dhe nëse ajo respektohet si duhet”.30. Gabimet e të kaluarës e favorizojnë këtë ndjenjë zhgënjimi, por ky sistem demokratik që kemi zgjedhur ka në themel të vet votën dhe sovranitetin qytetar, ndaj për t’u përmirësuar, ai ka nevojë jetike për votën, pjesëmarrjen dhe fjalën tuaj. Mund të ketë probleme, mund të ketë zhgënjime, por tradita edhe e vendeve të tjera na mëson se nuk ka absolutisht asnjë mekanizëm tjetër më të mirë kurues e përmirësues për sistemin, sesa vetë pjesëmarrja masive në votime, e qytetarëve të lirë.31. Shpesh na ndodh të ndihemi të lodhur nga tranzicioni, nga partitë dhe nga konflikti i tyre permanent, nga fjalimet boshe dhe mosmbajtja e premtimeve. Dita e zgjedhjeve na jep mundësinë që ata të heshtin, ata që na zhgënjejnë ndonjëherë edhe me veprimet e tyre, por në këtë ditë prevalon, merr vlerë të jashtëzakonshme vendimi i qytetarit, prandaj keni rastin që më datë 8 maj, të gjithë së bashku të shkojmë në votime, sepse është e drejta jonë, është e drejta e çdo individi, që fatin tonë ta kenë pikërisht ata që ne i japim mundësi, ata që ne përfaqësojmë në institucionet demokratike të vendit.32. 29 QERSHOR 2011 “Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja nuk janë thjesht martirë të demokracisë, ata janë më shumë; janë simbole qëndrese, simbole kurajoje, janë simbole të disidencës politike. Jeta e tyre kaloi një kalvar të gjatë dhimbjesh e vuajtjesh, presekutimi dhe privimi të lirë nga një regjim i pashembullt në mizorinë e tij. Revolta e “Qafë Barit” dhe shtresa e ish-të përndjekurve politikë i treguan diktaturës, se ajo ka burgosur trupat, por jo mendjen dhe shpirtin e tyre”. 33. 16 TETOR 2011 “Spikeret kanë detyrë të recitojnë bukur atë që shruhet, por në rastin konkret zonja Topalli, duhet të flasë në mënyrë korrekte gjuhën shqipe, duhet të mësojë artin e komunikimit. Së pari, këto zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara, jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës”.34. Lidhur me deklaratën e zonjës Topalli, dua tu them se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer, kush po i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike dhe institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare, në Republikën e Shqipërisë.35. 19 SHTATOR 2012 “I jap të drejtë Mark Twenit, që këshillonte për të mos debatuar asnjëherë me njerëz të tillë, se të tërheqin në nivelin e tyre, por këtë po e bëj në nderim të qytetarëve. Berisha hodhi dje një lumë akuzash, shpifjesh e intrigash, duke tentuar të njollosë emrin e personalitetin tim, në ish-detyrën e kreut të shtetit”.36. “Berisha u shfaq në një gjendje të çekuilibruar, humbje kontrolli e një të moshuari. I njëjti njeri, ka 20 vite që baltos institucionet. E kuptoj shumë mirë rënien e tij në nivele të tilla, sa herë ndodhet para një dështimi politik e humbet kontrollin dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka ndaj rivalëve, përfshi kërcënimet me jetë. Ai u shfaq si një pacient, në fazë të rënduar mendore”.37. 22 MAJ 2013 “Berisha dhe Topalli, kanë abuzuar me qytetarinë e këtij qyteti, kanë abuzuar me emrin e Shkodrës dhe absolutisht kanë qenë vetëm shërbëtorë të rëndomtë të kryestalinistit, të komunistit të fundit në Shqipëri. Jam i bindur që 23 qershori do të jetë fundi politik i tyre, i asaj që në emër të këtij qyteti ka shkuar në institucionin më përfaqësues të Shqipërisë dhe fati ynë i keq, se e ka përfaqësuar në mënyrën më vulgare të mundshme".38. “Berisha e lidhi emrin tim me vrasjen e gjyqtarit Konomi, por unë di të them se ai drejton policinë dhe shërbimin sekret, ai ka akses për hetim, por nuk heton nuk zbardh të vërtetat e mëdha, vetëm shpif, për të nuk ka rëndësi e vërteta, kështu ka bërë për të gjitha vrasjet politike”.39. “Shqiptarët e dinë kush e ka çuar vendin në prag të konfliktit civil për shkak të karrikes së tij, siç e dinë kush kërcënon me jetë nga foltorja e Kuvendit. Në prag të kalimit në pension politik, Berisha kupton forcën që po merr FRD, hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë, klani i tij mban peng politikën, Partinë Demokratike dhe institucionet e vendit, median”.40. “Kjo përbën një kërcënim për demokracinë, për shtetin e së drejtës, kërcënim për interesat madhore të vendit. Jam i motivuar dhe i vendosur për të mos lejuar që vendi të kalojë në pashallëkun e familjes së Berishës. Së bashku, me kurajo e vullnet, ta largojmë nga pushteti stalinistin e fundit në Evropë”.41. 19 JANAR 2014 “Sot e djathta shqiptare është më e përçarë se kurrë, e fragmentuar dhe në një farë mënyre e marrë peng nga aventurierë politikë, që nuk kanë patur ndonjë lidhje organike me filozofinë e këtij kahu politik, si në rrafshin e traditës historike dhe në aplikacionin e saj. Çështja themelore e kohës është rotacioni i elitave të vjetra, tek e djathta shqiptare”.42. Në mënyrë të pakuptimtë, vazhdon megallomania absurde e së ashtuquajturës, “parti e madhe”, ndërkohë që duhet të kishte filluar reflektimi serioz për kohezionin intelektual dhe shpirtëror, për reformimin e një të djathte moderne, pa të cilën nuk mund të garantohet rotacioni i pushtetit politik në Shqipëri.43. Tashmë është e vërtetuar se “Pardesytë e bardha” u dizenjuan në zyrën e Ramizit, duke sjellë kompromentimin e drejtimit politik tek e djathta, si dhe të demokracisë e shtetit të së drejtës. Para se të shkruhet në letër, bashkimi duhet të reflektohet te veçoritë e liderit, që ju i cituat në pyetjen e parë.44. “Kompromisi që më vjen ndërmend menjëherë ka qenë vazhdimi i bashkëpunimit me njerëz që nuk do të doja t’i kisha pranë, por vetëm për shkak të rrethanave historike të vitit 1997 dhe pa dyshim, interesit kombëtar dhe integritetit personal. Koha tregoi se, ndjesitë e mia kishin qenë reale”.45. “Në këndvështrimin tim, deri tani sjellja e mazhorancës aktuale ndryshon si nata me ditën, me sjelljen halabake e skizofrenike të ish-kryeministrit Berisha, në raport me institucionet dhe sidomos me Presidentin. Për më tepër, i takon palëve të japin ndjesitë për marrëdhëniet mes tyre”.46. “Berisha, një emër që sot më shumë se çdo herë tjetër, nuk thotë më asgjë. Asgjë më shumë, sesa një figurë që vazhdon procesin e shpërbërjes në tërë qenien e tij… Halabak”.47. 28 JANAR 2014 “Ka ardhur koha që të vëmë në “shënjestër” punën skandaloze të Shërbimit Informativ Shtetëror, që mendjen e ka si të përgjojë kundërshtarët politikë të ish-kryeministrit Berisha, në vend që t’i kthehet misionit për t’i paraprirë ngjarjeve kriminale, që po bëhen refren i jetës sonë”.48. “Është e patolerueshme që nuk thirren në Parlament, për të dhënë shpjegime, për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese që të garantojnë sigurinë publike.49. “Policia e Shtetit nuk mund ta realizojë e vetme misionin. Ajo ka nevojë për mbështetjen e politikës dhe sidomos, të Shërbimeve Inteligjente”.50. “Për sa i përket ekonomisë, kam mendimin se shëndoshja e financave të shtetit nuk mund të vijë thjesht nga gjobat e qytetarëve, apo rritja drastike e taksave, por urgjentisht, duhet të kthejmë sytë nga prioritetet e ekonomisë kombëtare, që qeveria e kaluar e ka lënë në mëshirë të fatit?