Zgjedhjet në Kosovë, Thaçi i propozon Jahjagës datën 8 Qershor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në një takim Kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin kanë diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës i ka propozuar presidentes datën 8 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve. Kryeministri Thaçi e njoftoi Presidenten Jahjaga për konsultimet e vazhdueshme me subjektet politike, pikërisht për organizmim e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, duke theksuar se është e domosdoshme pajtueshmëria me forcat e tjera politike për këtë çështje.Presidentja Jahjaga ndërkohë ka deklaruar se do të vazhdojë të luajë rolin e saj si faktor i unitetit politik në Kosovë. Ajo tha se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të cilat përcaktojnë mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve, si dhe do të respektojë vendimin që do të arrihet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.Në këtë takim Jahjaga dhe Thaçi kanë folur edhe për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe konsolidimin demokratik të vendit."Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi theksuan se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është i domosdoshëm dhe është një proces gjithëpërfshirës që nuk ka alternativë. Kosova duhet ta ketë forcën e saj mbrojtëse, e cila do ta kompletojë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive përmes anëtarësimit të saj në NATO", thuhet në deklaratë.