BE vendos sot për sanksione shtesë ndaj Rusisë

Diplomatët e Bashkimit Europian pritet të takohen sot, në një tjetër përpjekje për të vendosur paqen dhe qetësi në UKrainën e trazuar prej muajsh, ku pas diskutimeve, pritet të vendosin edhe për sanksione më të ashpra e të menjëhershme ndaj Rusisë.Vendimet pritet të merren në unanimitet nga vendet anëtare të G7 dhe 28 vendet anëtarë të BE-së, gjatë një takimi urgjent e të posaçëm në Bruksel. Ndërkaq, separatistët pro-rusë vijojnë të marrin nën kontroll të tjera godina qeveritare në lindje të UKrainës, në një kohë që ende vijojnë të mbajnë peng 7 vëzhguesit e OSBE, të kapur qysh prej të premtes.Pamjet e tyre të kapur rob nga filorusët, u shfaqën edhe në media, duke sjellë reagimin e menjëhershëm të ndërkombëtarëve, kryesisht të Gjermanisë. Mëngjesin e kësaj të hënë, militantët pro-rusë kanë marrë nën kontroll, edhe selinë e kompanisë rajonale të Radio-televizionit në Donjetsk, në Ukrainën Lindore.Separatistët kanë ngritur flamurin e republikës së vetëshpallur të Donjeskut në selinë e RTV-së. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, persona të armatosur e të maskuar, qëndrojnë në hyrje të ndërtesës duke kryer kontrolle ndërsa të tjerë komandojnë brenda ambjenteve të televizionit, madje kanë kërkuar përmes valëve të tij, edhe mbajtjen e një referendumi për federalizimin e Ukrainës.Perëndimi ka akuzuar dhe fajësuar Moskën për orkestrimin e këtyre revoltave në lindje të Ukrainës, por Moska zyrtare i ka mohuar këto akuza. SHBA-të dhe BE ka ngrirë asetet financiare si dhe ka ndaluar udhëtimin e disa zyrtarëve të lartë rusë, qysh pas aneksimit të Krimesë, duke i cilësuar këto si të vetmet sanksione që mund të ndërmarrë kundrejt Rusisë por nga sot duket se Rusia do të përballet me të tjera masa ndëshkuese./nzh/oranewsonline/