Të mbetet njeriu, vdektë politika!

Këtë fundjavë lajmi më shokues që u servir pa respektuar asnjë kriter profesional raportimi, (përgjithësisht vetëm me titra) ishte ai për vdekjen e një 40-vjeçari për shkak, (sipas titrimeve), të një ataku kardiak në rrugën “Irfan Tomnini” në Tiranë.

Pas kësaj, në rrjetet sociale vërshuan lemeritjet se e “kishin lënë për një orë në mes të rrugës”, dhe pas kësaj kohe, mbërriti autoambulanca për ta çuar në morg. U desh kaq që “të ndjeshmit” e shqueshëm politikisht të vërtisnin konsideratat për “pashpirtësinë e policisë dhe shërbimit të urgjencës së spitalit publik”. Asnjë prej familjarëve të të ndjerit, askush prej zëdhënësve të Policisë së Shtetit apo urgjencës nuk dhanë shpjegime për këtë rast, i cili gjatë gjithë fundjavës mbeti si lajmi më tronditës në memorien time.

Me thënë të drejtën, rasti më tronditi dhe më la gjurmën e prekjes shpirtërore. Ndikues më shumë u bënë komentet dhe reagimet në rrjetet sociale.

Natyrisht në kulturën dhe njohjen që kam për vendin dhe shoqërinë tonë kureshtare, më duket e pamundur të ndodhë që një viktimë të lihet për një orë pa iu afruar kurrkush në një ndër rrugët me qarkullim intensiv në kryeqytet. Së paku, më ka ndodhur që në disa raste kur dikush aksidentohet apo lëndohet prej makinash, biçikletash apo qoftë edhe prej vrullit të individëve që rendin dhe përplasin dikënd, menjëherë të kem parë dhe ndier sjelljen solidare dhe kujdesin e kalimtarëve të rastit.

Rasti në fjalë, atë ditë, më la shijen e dhimbjes dhe të lëndimit,  pasi më shumë më krijoi perceptimin e “vdekjes së humanizmit në rrugë”.

Në të vërtetë, pasi komunikova me disa kolegë të kronikës në media, u informova se nuk ishte dhe nuk kishte ngjarë kështu. I ndjeri sapo kishte rënë në mes të rrugës ishte kapur nga personi që lëvizte përbri tij dhe menjëherë ishin afruar edhe kalimtarë të rastit, duke kërkuar t’i jepnin ndihmë. Pasi ishte konstatuar pushimi i pulsit dhe zemrës së tij, shumëkush kishte rendur të telefononte urgjencën dhe 129. Pra, nuk kishte munguar asnjë çast dhembshuria qytetare e njerëzve, për njeriun.

Por pse triumfon përkohësisht si raportim, thashethemi në mediat tona dhe sidomos në ekranet me titra? Kush po e “viktimizon” në këtë ngutje dhe me këtë mënyrë median tonë dhe sidomos besueshmërinë raportuese? Si mund të vihet politika në shërbim të ndjeshmërisë qytetare dhe humanizmit dhe jo e kundërta?

Të gjitha këto pyetje retorike më vërshuan në kokë, pasi u gjenda në ndjekje të komenteve dhe interpretimeve të politizuara nëpër rrjetet sociale. Një mënyrë e keqe dhe tendencë për t’i dhënë pasionit dhe pozicionimit politik deri edhe tone urrejtjeje apo alarm të rremë me pretekst njeridashjen. Kjo është shenjë e rrezikshme e vrasjes përmes shtirjes si njeridashës të militantëve apo fansave të udhëheqësve politikë. Kjo shtyton verbërinë masive të interpretimit të thashethemeve si fakte dhe inkurajon indoktrinimin partiak dhe politik në informim. Kjo është mënyra më abuzante që shfaqet rishtazi në mjedisin tonë publik, në marrëdhënien e politikës me median dhe për rrjedhojë edhe të publikut me politikën.  Një tendencë e cila shfaqet së fundi pa u kujdesur për të mos e banalizuar qoftë ndjeshmërinë e shtirur, qoftë edhe ndarjen e medias nga politika dhe anasjelltas, politikën nga detyrimi për informim korrekt të publikut. Kjo formë dhe mënyrë për qëllim të politikës, merr të përdorë edhe vdekjen e rastësishme, edhe tritolin e terroristëve apo të kriminelëve hakmarrës. Në kësi rastesh dhe për kësi qëllimesh, shumëkush me ndërgjegje dhe përgjegjësi qytetare do të uronte: Mbettë njeriu, e vdektë politika!

Ka kaq ditë që akuza e opozitës për trafikimin e drogës nga Shqipëria në territore dhe mjedise të tjera, brenda apo jashtë vendit, po trondit dhe çudit jo vetëm politikën, por krejt opinionin publik.

Tani nuk ka asgjë prej halucionacioni, pasi është zyrtarizuar si një akuzë e rëndë dhe publike, e cila ka vënë në lëvizje jo vetëm Prokurorinë, Parlamentin apo institucione të tjera, por në një farë mënyre edhe institucione të huaja. Akuza për përdorimin e shesheve dhe segmenteve të autostradave apo rrugëve kombëtare në jug të vendit si pista për uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël, është tashmë e zyrtarizuar dhe po këmbëngulet njëanshmërisht të ketë ngjarë. Ndonëse shumëkujt i ngjan se ka lidhje me një subjekt të denjë për letërsinë magjike. Mirëpo, kjo akuzë tashmë ka ikur nga mundësia për të qenë lajthitje anashkaluese, sepse është përfshirë në axhendë si një proces në hetim. Serioziteti për këtë çështje të paraqitur si në rrethana të pabesueshme dhe joserioze, paraqitet i rrezikuar prej qesharakes dhe detyrimit. Në këtë lojë nuk gjendet vetëm politika, por më së shumti vetë institucionet e investigimit dhe mediat e vendit. Ka diçka që e bën qesharake besueshmërinë e këtij trafiku, përmes kësaj mënyre dhe me avionë të ardhur nga jashtë. Është mungesa e deritanishme e investigimeve dhe konfirmimeve të fluturimeve të ndodhura sipas opozitës. Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar apo shërbimet e tjera monitoruese të hapësirës ajrore shqiptare do të duhej të shpreheshin dhe të jepnin një konfirmim për këtë trafik të panjohur publikisht. Sa për dijeni të akuzuesve politikë, institucionet që merren me regjistrimin, lejimin dhe destinacionet e çarterëve privatë apo ushtarakë nuk janë të gjitha nën autoritetin e qeverisë apo të Forcave të Armatosura. Shumëkush e di që TIA është aeroporti i vetëm ndërkombëtar shqiptar që ka edhe instalimet për të kontrolluar hapësirën ajrore në territorin e hapësirës administrative shqiptare, si dhe që regjistron si fluturimet publike e private civile, ashtu edhe ato ushtarake, qofshin vendase apo të huaja. A do të ishte profesionale për mediat të rendnin për konfirmime të fluturimeve të dyshuara apo të kryera? Besoj se po. Pse deri tani asnjë prej mikrofonave të reporterëve dhe investigatorëve nuk kërkon prononcime zyrtare prej drejtuesve dhe ekspertëve zyrtarë që merren me monitorimin e fluturimeve ajrore dhe hapësirës sonë në përgjithësi? Do të pritet që këtë ta bëjnë vetëm politika dhe përfaqësues në shërbim të saj?

Në këtë mënyrë, misioni natyral i reporterëve dhe mediave po lihet i penguar apo i pakryer për të respektuar komedinë politike të radhës. Një komedi që shkakton jo vetëm kosto morale për shtetin, Mbrojtjen dhe FA, por mbi të gjitha, për institucionet e shtetit shqiptar në tërësi. Politika që e ka shembur kaq me devocion seriozitetin e këtij vendi, po merr variacione edhe për pabesueshmërinë e qiejve të vendit. Në këtë mënyrë injorohet në këtë vend besueshmëria institucionale dhe sidomos solidariteti human i qytetarëve.

Kësi rastesh dhe sjelljesh për qëllime kaq pak inteligjente të politikës, ngjet që të përdoret vdekja e njeriut, trafiku dhe përdhosja e shtetit, të banalizohet e vërteta me realitetin tronditës të kultivimit të narkotikëve dhe të marrë Shqipëria e sotme vlerën e qesharakes Shqipëri si në vitet ’30-të, më saktë si në kohën e publicistikës së Faik Konicës. Palaçollëqe të tilla na japin vetëm një mundësi, të urojmë vetëm: Të mbetet njeriu, vdektë politika!

(Shkrimi u publikua në gazetën "Shqip" më 22 prill 2014)