Xhaçka: Mazhoranca vijon të mbaj premtimet, opozita akuza boshe

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të kreut të opozitës Basha gjatë konferencës së tij për mediat. Selia rozë, përmes deputetes Olta Xhaçka, tha se Basha u ankua për reformën territoriale, por ende nuk arrin të shpjegojë arsyen pse opozita refuzon për muaj të tërë, të bëhet pjesë e kësaj reforme.Deputetja socialiste tha gjithashtu se kreu i PD-së harroi pa listuar edhe një sërë vendimesh të mazhorancës, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët shqiptarë.Deklarata e plotë:Zoti Basha dha sot një konferencë për shtyp, ku u ankua për një listë nismash të mazhorancës, mes të cilave edhe për reformën administrativo-territoriale që do i kursejë shqiptarëve miliona dollarë dhe do i ofrojë qytetarëve shërbime më cilësore dhe më efikase.U ankua për reformën, por ende nuk arrin të shpjegojë arsyen pse opozita refuzon për muaj të tërë, të bëhet pjesë e kësaj reforme, ndërkohë që mazhoranca i ka siguruar asaj barazi të plotë përfaqësimi dhe vendimmarrjeje.Zoti Basha në deklaratën e tij të sotme, harroi pa listuar edhe një sërë vendimesh të mazhorancës, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët shqiptarë.Mazhoranca këtë javë prezantoi paketën e re për fasonët, që synon ta rrisë numrin e të punësuarve të deklaruar në 100 mije vetë dhe të nxisë prodhimin fason vendas.Mazhoranca këtë javë prezantoi skemën e re të financimit në bujqësi, që jep më shumë siguri ushqimore, më shume iniciativa për fermerët vendas dhe formalizon prodhimin bujqësor e blegtoral.Mazhoranca këtë javë do të vazhdojë me procesin e legalizimeve, duke bërë realitet legalizimin falas, atë për të cilën qeveria e mëparshme dështoi për 8 vjet me radhë.Këto janë nismat e mazhorancës, të cilat kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe pozitiv mbi qytetarët shqiptare, që fatkeqësisht zoti Basha nuk guxoi t’i përmende në deklaratën e tij të sotme.