Reforma territoriale, ja çfarë u diskutua në Konferencën e Kryetarëve
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit, kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve të përhershme, si dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve.Në rend të ditës u diskutua për projektvendimin e paraqitur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, lidhur me ndryshimin e vendimit nr.1, 2014 të Kuvendit, për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën administrative-territoriale në Republikën e Shqipërisë.Meta u shpreh se vendimi i Kuvendit është miratuar më datë 23 janar të vitit 2014-të, i cili nuk ka funksionuar për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës. Komisioni përfundon afatin më datë 23 prill dhe grupi parlamentar i PS ka marrë iniciativën dhe kërkon që ky projektvendim i depozituar të futet në rendin e ditës për tu miratuar në seancën plenare të datës 24 prill.Gjithashtu, Kryetari Meta, bëri me dije se 37-të, deputetë të mazhorancës kanë paraqitur një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me objekt zbardhjen e plotë të fakteve dhe provave, mbi akuzat se Forcat e Armatosura dhe bazat ushtarake të saj, janë të implikuar në veprimtari kriminale të transportit të lëndëve narkotike.Fillimisht, Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së u shpreh se kjo reformë është e njëanshme dhe dëmton interesat, jo vetëm të politikës shqiptare, por edhe të vendit.“Ne si opozitë kërkojmë që zhvillimi i kësaj reforme administrative- territoriale, të mos bëhet pa pjesëmarrjen e opozitës”, deklaroi Paloka.Në vijim të mbledhjes, Fatmir Mediu kërkoj gjetjen e konsensusit sepse sipas tij, ajo që cënon këtë bashkëpunim, është padyshim mosbesimi i krijuar midis mazhorancës dhe opozitës për ndërmarrje të përbashkëta.“Duhet të gjejmë gjuhën për të miratuar në mënyrë konsensuale çështje të rëndësishme . Mendoj që mos të marrim hapa që thellojnë hendekun, por të negociojmë dhe të gjejmë zgjidhjen, ku një përfaqësues i mazhorancës dhe një përfaqësues i opozitës të ulen dhe të diskutojnë elementët teknikë ose politikë për të arritur këtë konsensus”, përfundoi fjalën e tij Mediu.Më tej, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, sqaroi se propozimi i mazhorancës ka qenë një detyrim- përcaktim dhe është pritur përtej afateve fundore të moszbatueshmërisë së vendimit që ka marrë parlamenti.“Ne kërkojmë që kjo reformë të mos bëhet në mënyrë të njëanshme , por të bëhet me pjesëmarrjen, kontributin dhe votat e opozitës. Si rezultat i mosprezencës së opozitës, kërkojmë të zhbllokohet puna. Në çdo rast, në çdo kohë, në qoftë se opozita ndryshon qëndrimin e saj, absolutisht ky ndryshim bëhet nul dhe rikthehet vendimi siç ishte. Pra me barazi në përbërje, me barazi në vendimmarrje në të gjitha ndryshimet. Meqenëse afati i këtij vendimi në parlament për komision ka përfunduar, propozojmë që të shtohet afati”- tha Ruci.