Zgjedhjet në Maqedoni, Ahmeti e Thaçi fushatë të ngjeshur

Tubimi qendror i radhës i Bashkimit Demokratik për Integrim u zhvillua mbrëmë në Kumanovë ky qytetarët e kësaj ane kishin rastin të përcjellin shpalosjen e platformës nën emrin “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë”.Në fjalën e tij përpara të tubuarve, kryetari i BDI-së dhe kryesues Listë në Njësinë nr. 6, Ali Ahmeti iu referua programit zgjedhor, projekteve të shumta, cilësisë së kandidatëve, ndërsa vuri theksin kryesor në zhvillimet politike, përkatësisht 27 Prillin ditën kur shqiptarët përsëri do ti thonë jo kandidatëve për president që sipas tij kanë platforma të njëanshme.‘Me 27 Prill dilni dhe jepni përkrahjen vizionit dhe misionit të vëllezërve tuaj që mbi të gjitha vendosin çështjen kombëtare. Pak ditë do të bëhet votimi për president, janë dy kandidatë, asnjëri nuk është i yni. Ta votojmë Pendarovskin për inat të Ivanovit, nuk shkohet me këto punë ta votojmë këtë për inat të këtij, as njëri e as tjetri nuk janë program i yni. Vota për njërin apo për tjetrin është në dëm të vizionit dhe platformës për ku synojnë shqiptarët. Ne duhet të drejtojmë një nga tre funksionet e larta të shtetit’, deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare mbajti tubimin e saj në Kërçovë, por edhe takime me qytetarë ka zhvilluar edhe në Zhitoshë e Krushevë.Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi kërkoi votën dhe besimin e qytetarëve të kësaj zone, duke shtuar se ai do të jetë ballë çdo projekteve që do të realizohen për shqiptarët dhe ku do të bëhet një kthesë grandioze, për shkak se deri tani shqiptarët sipas tij janë në gjendje të mjerueshme dhe tejet të rëndë.Thaçi theksoi se ai do të jetë zëvendëskryeministri i ardhshëm në qeverinë pas zgjedhjeve të 27 prillit, por për këtë kërkoi mbështetje në numër më të madh.‘Keni pasur shumë presione e kërcënime se do tu ndalin ndihmat sociale, do tu nxjerrin prej pune, se do tu dërgojnë inspeksione e polici, kjo vëllezër të nderuar është turpi më i madh që ka ndodhur në shekullin e ri. Kështu veprime, ti ofendosh djemtë e vajzat e reja që shkojnë të votojnë për kandidatin shqiptarë është një turp i madh. Po ju i dhatë një grusht të fortë dhe mendojë se ai grusht do të jetë shumë i fortë me 27 Prill. Shpresoj se me një përkrahje të fuqishme që do të na jepni, ju do të na mundësoni ne që t’ju mbrojmë juve. Ju e dini vëllezër se ai zotëriu po fletë jerm shumë kohët e fundit, po thotë se ju keni nevojë vetëm për të mbjellë sallata, patate e ngjashëm dhe ky është një nënçmim shumë i madh që ju bëhet juve dhe të gjithë kombit’, deklaroi Menduh Thaçi – kryetar i PDSH-së.