Konferenca Gjyqësore: Anëtarët e KLD-së të udhëhiqen nga parimet ligjore

Të shënjëstruar më shumë se asnjë përfaqësues pushteti në Shqipëri, gjyqtarët kërkojnë mbrojtje nga akuzat përgjithësuese të disa fenomeneve sipas tyre të shkëputura.Në një rezolutë të miratuar në përfundim të konferencës gjyqësore trupa gjyqësore shqiptare kërkon më shumë respekt e jo vetëm baltë."Duke mirëkuptuar shqetësimet dhe kritikat e faktorëve politik, institucioneve ndërkombëtare, medias dhe shoqërisë civile, gjyqtarët kërkojnë që kritikat për fenomenet korruptive, të mos kthehen në një fushatë fajësimi kolektiv për të gjithë pushtetin gjyqësor, por të adresohen në mënyrë konkrete.Konferenca i kërkon edhe Ministrisë së Drejtësisë që krahas nxitjes dhe marrjes së informacionit dhe denoncimeve nga publiku, të marrë masat e menjëherëshme për të parandaluar publikimin e denoncimeve, pa u verifikuar më parë vërtetësia e tyre nga strukturat e inspektimit."Togat e zeza kërkojnë që për reformën gjyqësore të merret edhe mendimi i tyre duke mbështetur inisiativat e politikës."Gjyqtarët mbështesin nismat e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv për reformimin e mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, duke kërkuar që këto nisma të jenë objekt diskutimi paraprak me trupën gjyqësore".Kohët e fundit gjykatat dhe specifikisht gjykatësit janë vëndosur në shenjestër të politikës ku nuk kanë munguar jo vetëm kritikat por edhe akuzat e drejtëpërdrejta sidomos nga qeveria.Rezoluta e Konferencës gjyqësoreKonferenca Gjyqësore Kombëtare, në mbështetje të veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD, me qëllim përmbushjen e detyrës së tyre, u rekomandon që të mbajnë parasysh, si më poshtë vijon:- Ruajtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si një vlerë themelore në një shtet të së drejtës, nga çdo lloj presioni, ndikimi apo ndërhyrje që mund të vijë nga pushtetet e tjera;- Zbatimin me korrektësi dhe me efektivitet të kuadrit ligjor e nënligjor për emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve;- Trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të Inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër;- Ushtrimin e ndikimit të vazhdueshëm ndaj strukturave përgjegjëse të KLD-së për përfundimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve;- Përkrahjen e nismave dhe dhënien e opinioneve lidhur me procesin e refomave në sistemin e drejtësisë;- Përpjekje maksimale për të nxitur dhe thelluar luftën kundër fenomeneve korruptive në gjyqësor;- Rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimarrjes së KLD;- Angazhim më të madh, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera shtetërore, për propozimin dhe hartimin e projekteve, të cilat kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve;- Mbajtjen e lidhjeve më të ngushta dhe organizimi i konsultimeve me KGJK për çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor në kuadër të përfaqësimit të trupës gjyqësore;- Angazhim maksimal për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor si dhe mbrojtjen e promovimin e vlerave individuale të çdo gjyqtari.