Pr/ligji i ri për FA, Nishani: Qeveria do të marrë kontrollin e pronave të ushtrisë
Presidenti Bujar Nishani thotë se qeveria përmes pr/ligjit të ri për Forcat e Armatosura po ndërhyn në kompetencat dhe të drejtat kushtetuese të Presidentit. Nishani thotë se me këtë projektill qeveria kërkon të marrë kontrollin e pronave të ushtrisë dhe “kjo është shqetësuese”.Nishani thotë se kemi të bëjmë " me një të vërtetë të hidhur" dhe shpreson se Kuvendi i Shqipërisë nuk do ta pranoj një ndërmarrje të tillë.Nishani thotë se hartimi i këtij projektligji është kryer pas asnjë lloj argument dhe në hartimin e tij nuk është përfshirë asnjë ekspert apo përfaqësues i Institucionit të Presidentit të Republikës.Deklaratat e Presidentit u bënë gjatë një interviste dhënë dje për tv Klan.IntervistaGazetari (Altin Janaqi): Zoti President, faleminderit fillimisht që pranuat për këtë intervistë!Presidenti Nishani: Kënaqësi dhe për mua!Gazetari: Zoti President, dje opinioni publik përmes shtypit dhe medias është njohur me një iniciativë të re ligjore nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket ndryshimit të ligjit “Për komandimin dhe drejtimin strategjik të Forcave të Armatosura”. Pra, ndryshime ligjore që prekin, le të themi, dhe funksionin tuaj, funksionin e Presidentit si Komandant i Përgjithshëm Forcave të Armatosura. Në radhë të parë, doja një koment të përgjithshëm tuajin, një vlerësim të përgjithshëm mbi këtë iniciativë me të cilën ne jemi njohur vetëm dje, por edhe Ju si President i Republikës jeni njohur përpara disa ditësh, në mos gaboj.Presidenti Nishani: Kjo është e vërteta e parë, e hidhur, që edhe unë si President i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, jam njohur vetëm para pak ditësh me hartimin e një projekt-ligji të ri për strukturën dhe zinxhirin komandues dhe pushteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, një ligj i cili në fakt përfshin autoritetin, detyrat dhe kompetencat e disa pushteteve të komandimit në Forcat e Armatosura: të Kuvendit, të Presidentit dhe të Qeverisë. Hartimi i një projekt-ligji të ri pa asnjë lloj argumenti që përse duhet që, një vend, i cili tashmë është anëtarësuar në NATO me ligjin ekzistues, të ketë nevojë për të ndryshuar dhe hartuar një ligj të ri të pushteteve komanduese në Forcat e Armatosura, pa përfshirë në këtë hartim, në këtë proces asnjë ekspert apo përfaqësues të Institucionit të Presidentit të Republikës, kompetencat e të cilit ishin në ndryshim dhe në diskutim.Shqetësues është fakti se përmes këtij projekt-ligji ndërhyhet në ato kompetenca dhe të drejta kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duke i hequr të drejtën e emërimit dhe lirimit nga detyra të ushtarakëve të lartë me gradën e gjeneralit, këputet zinxhiri i hierarkisë komanduese në kohë paqeje, çka krijon një shqetësim serioz në tërë strukturën dhe zinxhirin komandues të Forcave të Armatosura më pas.Ky projekt-ligj bën një çbalancim të harmonisë kushtetuese të pushteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, pra të Parlamentit, të Presidentit dhe të Qeverisë, çka demton një standard të detyrueshëm për një vend anëtar të NATO-s, siç është dhe Shqipëria.Ajo që është më shqetësuesja ka të bëjë me faktin e heqjes së kompetencës së Presidentit të Republikës të miratimit të Planit të Përhapjes të Forcave të Armatosura dhe për më tepër dhënies së kësaj kompetence Kryeministrit të vendit, çka çbëhet monitorimi dhe kontrolli i menaxhimit të pronave të ushtrisë, një cikël i cili tashmë me projekt-ligjin e ri mbyllet brenda qeverisë; Ministër-Kryeministër.Këto shqetësime vijnë në një moment kur Shqipëria ka arritur rezultate të rëndësishëm dhe mbyllje të cikleve të rëndësishëm të integrimit në strukturën euro-atlantike, në Aleancën e NATO-s; në një moment kur Shqipëria ka filluar të zërë një vend serioz midis aleatëve në kontributet e saj. Unë jam i bindur dhe shpresoj që Kuvendi i Shqipërisë nuk do ta pranoj një ndërmarrje të tillë, një iniciativë të tillë ligjore pasi në rast se ndodh do të jetë një hap i madh prapa përsa u takon standardeve që duhet të ketë një vend anëtar i NATO-s, siç është Shqipëria.Gazetari: Zoti President, në përgjigjen që Institucioni i Presidencës i drejtonte Ministrisë së Mbrojtjes kishte shprehur shqetësimin e mungesës e një eksperti në hartimin e këtij drafti. Tashmë që ai draft ekziston, është real dhe me shumë gjasa mund të shkojë dhe në Kuvend, cila është kërkesa Juaj? Është një apel për Parlamentin për të mos e votuar, për të mos e miratuar apo do të kërkoni që ky projekt-ligj të ndryshohet?Presidenti Nishani: Edhe vetë procedura, madje edhe përtej etikës normale të komunikimit, adresuar Presidentit të Republikës për të dhënë mendime ndaj një projekt-ligji është një provokim tjetër ndaj kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Kushtetuta e ka paraparë Presidentin e Republikës si mekanizmin e fundit të garantimit të kushtetutshmërisë të një akti ligjor siç është ligji që kalon në Kuvend dhe Presidentit i është rezervuar e drejta e dekretit të këtij ligji të miratuar madje në Kuvend ose të konsiderimit të tij si antikushtetues dhe kthimit mbrapsht për rishqyrtim nga Kuvendi. Nëse Presidenti do të angazhohej në dhënien e mendimit të tij gjatë kohës të diskutimit të një projekt-ligji automatikisht është çbërë e drejta e tij kushtetuese për të dekretuar një akt ligjor të miratuar nga Kuvendi. Do të kishte qenë mjaft korrekte dhe madje dhe detyruese që Ministria e Mbrojtjes të kishte vënë në dijeni më parë Institucionin e Presidentit të Republikës për nevojën e ndryshimit të ligjit dhe bërjes së një ligji të ri, të kërkesës për të përfshirë në hartimin e këtij projekti specialistë nga Institucioni i Presidentit të Republikës, sepse bëhet fjalë për kompetencat e Presidentit si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe natyrisht më pas diskutimet, besoj që, do të kishin qenë konkluduese në panevojshmërinë e bërjes së një ligji të ri për më tepër e heqjes së kompetencave të Presidentit të Republikës. Ndaj, unë shpresoj edhe një herë tek qëndrimi që do të mbajë Kuvendi i Shqipërisë për të mos e pranuar çbërjen e standardeve të tilla që Shqipëria i ka fituar në proces e sipër në udhën e saj të përgatitjes për t’u bërë një vend anëtar i NATO-s, siç është sot me meritë.Gazetari: Ne tashmë kemi 5 vjet në NATO. A është shprehur ndonjëherë nevoja për ndryshime në këtë ligj? A ka pasur, në diskutimet që ju keni zhvilluar me pjesëtarë të tjerë, nevojë për ndryshimet në këtë ligj?Presidenti Nishani: Në gjykimin tim është tërësisht e panevojshme ndërmarrja e një hapi të tillë, bërja e një ligji të ri për pushtetet komanduese të Forcave të Armatosura jo vetëm për çka ky ligj aktual përfaqëson në standardet e tij, por dhe në procesin në të cilin ka ecur asnjëherë nuk ka pasur nga partnerët tanë, aleatët tanë shqetësime apo kërkesa për të ndërhyrë në legjislacionin përkatës, por besoj që kjo iniciativë e njëanshme, e paargumentuar, e pabazuar dhe që bie ndesh me parashikimet kushtetuese të Qeverisë është krejtësisht e panevojshme.Gazetari: Zoti President, nëse ky do të bëhet fakt, ju ngrini shqetësimin edhe tek partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje?Presidenti Nishani: Natyrisht që angazhimi im do të jetë në proces, në vijimësi me të gjithë aktorët e interesuar, me të gjithë faktorët e tjerë duke nisur me Kuvendin e Shqipërisë, me vendet aleatë, me partnerët e Shqipërisë në NATO, duke nisur me të gjithë instrumentet e tjerë që parasheh Kushtetuta dhe ligji në Shqipëri.Gazetari: Në opinionin publik diskutohet shpesh për një marrëdhënie, le të themi, jo të mirë të Institucionit të Presidentit dhe Këshillit të Ministrave. A është ky një tjetër hap që shton këtë lloj përplasjeje midis institucioneve të pavarura në vend?Presidenti Nishani: Në asnjë rast nuk kam pasur dhe nuk do të ketë ndonjë nisje të Presidentit për t’u përplasur me Qeverinë. Përkundrazi, e kam konsideruar si një përgjegjësi dhe jo vetëm detyrë institucionale, por dhe qytetare, morale për të ofruar të gjithë inkurajimin dhe mbështetjen për punën e Qeverisë e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të shoqërisë, në shërbim të shtetit. Por, po aq i detyruar dhe pjesë e përgjegjësisë është dhe reagimi dhe frenimi i çdo tentative që vjen nga Qeveria apo nga aktorë të tjerë të cilët kërkojnë të bëjnë çbalancime të tilla të pushteteve dhe deformime të mekanizmave të shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionuese në Shqipëri.(Intervista është publikuar në faqen online zyrtare të presidencës)