Bushati me homologun gjerman, vlerësohet progresi i Shqipërisë në rrugën drejt BE
Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.Në vijim të vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Berlin gjatë javës së kaluar, të dy Ministrat biseduan mbi mënyrat e përforcimit dhe thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si në rrafshin dypalësh ashtu dhe në atë rajonal.Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, pasojat e mundshme në arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.Ministri Bushati e informoi homologun gjerman mbi avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë, rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, si dhe politikën dinamike dhe konstruktive të Shqipërisë në rajon.Ministri Steinmeier, nga ana e tij, vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.“Bashkëpunimi i Gjermanisë me Ballkanin Perëndimor përmban vlera reformuese dhe transformuese, të cilat do të ndihmojnë ankorimin e shpejtë të rajonit në rrjedhat euro-atlantike”, u shpreh Ministri Bushati.Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje lidhur me projektet e përbashkëta, që konsiderohen nga Shqipëria me rëndësi për rajonin e Ballkanit dhe që i shërbejnë më së miri shteteve të veçanta ashtu si dhe Bashkimit Evropian.Në kuadër të kësaj vizite pune në Berlin, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të partive kryesore në komisionin e politikes së jashtme të parlamentit gjerman, me kryetarin e komisionit të çështjeve evropiane të Bundestagut si dhe me këshilltarët për çështjet e sigurisë dhe ato evropiane në zyrën e Kancelares gjermane, Merkel.