Skandali i përgjimit, diplomatja amerikane fyen BE-në
Diplomacia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përfshirë sërish në një skandal përgjimi pas publikimit të një videoje e cila paraqet një bisedë telefonike të regjistruar midis asistent sekretares së shtetit, Victoria Nuland dhe ambasadorit amerikan në Ukrahinë Geoffrey Pyatt.Në bisedën e regjistruar për të cilën ende nuk është marrë vesh koha kur është zhvilluar, Nuland përdor fjalë tepër ofenduese ndaj Bashkimit Evropian duke e akuzuar Eurozonën për përpjekje të pamjaftueshme dhe indiferencë ndaj protestave me skenare të dhunshme në Ukrahinë.Victoria Nuland kërkoi ndjesë për fjalët e rënda që përdori për BE-në. Në Kiev, Nuland tha se nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike për çështjen. Ajo e përshkroi materialin duke thënë se “ishte një spiunazh mbresëlënës. Cilësia e audios ishte shumë e mirë”.Sipas analistëve të BBC, në bisedën e diplomatëve amerikanë tregohet qartë se SHBA-ja e ka një plan të përcaktuar se si do të rrjedhin ngjarjet në Ukrahinë pasi për zyrtaren Nuland njëri nga liderët e opozitës Vladimir Klitchko nuk është e nevojshme të jetë pjesë e qeverisë së re.Videoja e titruar në gjuhën ruse nën titullin "marionetat e Maidanit", sheshit në Kiev ku janë zhvilluar protestat masive, ka sjellë reagimin e Kancelares gjermane Angela Merkel e cila shprehu indinjatë të thellë mbi akuzat që lëshon Nuland ndaj përpjekjeve të BE në krizën e Ukrahinës duke thënë se e mbështet dhe vlerëson punën e bërë nga Catherine Ashton. Por reagime ka patur edhe nga pala amerikane, pasi zëdhënësja e Departamentit te Shtetit, Jen Psaki hodhi akuza mbi spiunazhin rus për regjistrimin e telefonatës.Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kurs tjetër veprimi ndryshe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshe nga BE që kërkon ta afrojë Ukrahinën përmes politikave monetare, SHBA kërkon një ndërhyrje të menjëhershme në vend.Ndërsa Rusia mban një qëndrim krejt të kundërt. Këshilltari i Vladimir putin Sergei Glazyev - në një intervistë të dhënë në një gazetë në Ukrahinë tha se "Rusia duhet të ndërhyjë në Ukrainë", dhe se autoritetet atje duhet të përdorin forcën kundër demonstruesve.