Jacobson: Amerika, krenare me një mik si Kosova

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ndërsa i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Amerika është krenare që ka një vend mik si Kosova.Deklarata është bërë në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Ambasadorja amerikane, në një konferencë për shtyp me zonjën Jahjaga, ka vlerësuar se Kosova ka arritur progrese të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë.“Gjatë kohës së shkrutër që kam në Kosovë kam vënë re shumë ndryshime pozitive”, ka thënë ajo, duke inkurajuar liderët politikë për unitet, në të mirë të së ardhmes së Kosovës. “Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës do të mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatë dhe demokratike”, ka theksuar Jacobson.Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës. Nga ana tjetër, ajo është zotuar se bashkë me lidershipin kosovar do të punojnë për të konsoliduar rendin dhe ligjin në të gjithë Kosovën, duke luftuar dukuritë negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kështu, Tracey Ann Jacobson nisi zyrtarisht misionin e saj ai Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Jacobson, në Kosovë.