SHBA kërkon siguri për Olimpiadën, pas sulmeve në Rusi
Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara “do të mirëprisnin” mundësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me Rusinë në fushën e sigurisë rreth organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore, pas sulmeve të fundit në qytetin jugor Volgograd.Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caitlin Hayden tha sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar “mbështetjen e plotë” për autoritetet ruse, në prag të përgatitjeve në fushën e sigurisë, para lojërave.Por, ajo tha se SHBA-të do të mirëprisnin “një bashkëpunim më të ngushtë” për t’u siguruar rreth sigurisë së atletëve, spektatorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.Hayden tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë sulmin, dhe i ofrojnë ngushëllime familjeve të viktimave nga dy sulmet, që lanë një bilanc të zi prej të paktën 32 të vdekurve, dhe dhjetëra civilëve të lënduar nga shpërthimi.Lojërat Olimpike Dimërore në Sochi nisin më 7 shkurt.