Egjipt, arrestohen gazetarët e Al Jazeera

Policia egjiptiane ka arrestuar një grup gazetarësh të rrjetit televiziv Al Jazeera në kryeqytetin Kajro. Mes tyre është edhe drejtori i zyrës së Kajros, Mohamed Fadel Fahmy dhe ish-korrespondenti i BBC, Peter Greste.Gazetarët, që punonin për versionin anglez të Al Jazeera, u ndaluan në orët e vona të së dielës. Ata janë: Mohamed Fadel Fahmy me nënshtetësi kanadeze, Peter Greste nga Australia, producenti Baher Mohamed dhe kameramani egjiptian Mohamed Fawzy, që thuhet se u arrestua në shtëpinë e tij.Al Jazeera ka kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm. Ministria e Brendshme bëri të ditur në një komunikatë për shtyp se kamerat dhe kasetat e reporterëve u sekuestruan në një dhomë hoteli në Kajro. Dikasteri i akuzoi ata për transmetim të lajmeve që dëmtonin sigurinë kombëtare.Ministria e Brendshme deklaroi se gazetarët kishin zhvilluar takime ilegale me eksponentë të Vllazërisë Myslimane, që javën e kaluar u shpall organizatë terroriste.Ndaj grupimit islamik ka pasur operacione të shumta që pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Mohammed Morsi në korrik.