Moti, SHBA dhe Kanadaja ende në errësirë
Mbi 500 mijë banorë në veri lindje të Shteteve të Bashkuara dhe në jug Lindje të Kanadasë vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas stuhisë së acartë të fundjavës së kaluar. Ekipet e ndihmës së shpejtë po punojnë por paralajmërojnë se disa shtëpi mund të vazhdojnë të mbeten në terr.Në Toronto, rreth 72 mijë banorë ishin pa energji elektrike ditën e Krishtlindjeve. Sipas të dhenave nga policia 27 persona kanë humbur jetën në rajon për shkak të rrethanave të krijuar nga stuhia. Shumica e vdekjeve ka ardhur nga monoksidi i karbonit që ka helmuar njerëzit që kanë përdorur gjenerator me gaz, qymyr druri dhe lëndë të tjera për të ngrohur shtëpitë si pasojë e temperaturave nen zero.Ndërkohë, vdekje të tjera janë shkaktuar nga aksidentet rrugore. Udhëtimet mes Torontos dhe Montrealit, Otauas dhe Nju Jorkut janë pezulluar.Në rajonet e tjera të Kanadasë, si në Nju Bransuik dhe në Kebek, dhjetëra mijëra persona janë ende pa elektricitet, si dhe qindra të tjerë në Nova Skotia. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, shtetet nga Meini në Miçigan janë prekur gjithashtu nga moti i acartë, që ka shkaktuar ndërprerje të energjisë që prej javës së kaluar.