Stuhia godet Evropën
Në Britani të paktën 6 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e motit të keq që ka provokuar kaos në udhëtim në një nga kohët më të ngarkuara të vitit. Qindra udhëtarë janë bllokuar në aeroporte pas anullimit të disa fluturimeve në aeroportin e Hithrout, Bristolit dhe Glasgout.
Stuhia e fuqishme Dirk që ka goditur Europën Veriore, duke sjellë me vete erëra të fuqishme, që i kalojnë 140 km në orë dhe shira të rrëmbyer. 2 viktima regjistrohen në Francë, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Të paktën 240 mijë familje, në rajonin e Normandisë në Francë, kanë mbetur pa energji elektrike.
Dhjetra persona kanë mbetur të bllokuar në makinat e mbuluara nga uji. Kompanitë hekurudhore kanë pezulluar lëvizjen e trenave, si pasoje e pemëve të shumta të rrëzuara. Moti i keq ka goditur edhe Spanjën, Portugalinë, Holandën dhe Italinë.
Në Galicia të Spanjës, të paktën 100 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike. Janë anuluar disa fluturime nga aeroporti i Bilbaos, ndërsa në Portugali, në zonat bregdetare pranë Lisbonës dhe Santarem, dallgët mbërritën në 7,5 metra.
Në Holandë u pezullua lundrimi i trageteve në veri të vendit dhe disa ndërtesa kanë mbetur të dëmtuara, mes tyre edhe stadium Filips i Eindhovenit.