Thaçi-Daçiç në Bruksel, temë e bisedimeve gjyqësori

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.Temë e bisedimeve pritet të jetë gjyqësori.Mediat në Beograd raportojnë se në takimin e sotëm do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiç.Sipas tyre, ky raund i bisedimeve është shumë i rëndësishëm pasi nga ai varet në masë të madhe vendimi i Këshillit të Evropës për datën e nisjes së negociatave midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi,u shpreh optimist për takimin me homologun serb.“Serbia nuk duhet të vonohet dhe të pengojë zbatimin (e Marrëveshjes së 19 prillit). Do të kemi një sistem unik policor, doganor dhe të drejtësisë, sipas standardeve dhe ligjeve kosovare”, ka thënë Thaçi në prag të takimit të sotëm.Ky është takimi i dytë që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.Në takimin e javës së kaluar, palët kanë arritur përparim për çështjen e policisë, përkatësisht integrimit të strukturave jolegale në Policinë e Kosovës.