Integrimi në BE, s`ka datë për Serbinë në dhjetor

Shefat e shteteve të BE-së vështirë se do të mund që gjatë dhjetorit të vendosin për t’i dhënë ose jo Serbisë datën e nisjes së dialogut të anëtarësimit. Beogradit i është miratuar e drejta për ta nisur këtë dialog, por datën e nisjes së tij shtetet e BE-së e kanë kushtëzuar me përmirësimin e marrëdhënieve të shtetit serb me Kosovën.Sipas burimeve të gazetës “Tribuna”, komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, shpreson që më 19 dhjetor, një ditë pas takimit dyditor të ministrave, Serbisë t`i jepet e drejta e nisjes së dialogut.Edhe shtetet që mbështesin Serbinë janë të pajtimit që kjo të ndodhë në takimin e radhës së Këshillit, por disa nga shtetet e fuqishme, mbështetëse të Kosovës dhe dialogut në Bruksel, mendojnë se data do të duhej t`i jepej Serbisë jo më herët se në janar.Edhe nëse do të merrej vendimi pozitiv në janar, sipas këtyre shteteve, Serbia nuk do të mund t'i nisë negociatat e anëtarësimit para marsit. Shtetet anëtare duan që pos zbatimit të plotë të marrëveshjes së parë të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi të arrijë me Prishtinë edhe marrëveshjen e dytë të normalizimit, para se të nisë dialogun e anëtarësimit.