Protestë masive në Kiev, bllokohet kompleksi qeveritar

Qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, e cila pezulloi marrëveshjen me Bashkimin Europian.Protestuesit, që kundërshtojnë unionin doganor me Rusinë, rrëzuan me shufra metalike dhe çekiçë statujën e Leninit, e cila ndodhet në bulevardin Shevchenko. Kjo statujë kishte një rëndësi simbolike, sepse ishte kujtesë e asaj historie të përbashkët me Rusinë.Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovic, pezulloi marrëveshjen me Bashkimin Europian pas kundërshtimit të Moskës. Udhëheqësit e protestës i kanë vendosur atij 48 orë për të shkarkuar qeverinë. Protestuesit kanë bllokuar ndërtesat qeveritare me makina dhe tenda.Në një zhvillim tjetër, të dielën, Shërbimi ukrainas i Sigurisë po heton disa politikanë të dyshuar për veprime, që kanë si qëllim marrjen e pushtetit. Emrat e tyre nuk u bënë publik.Udhëheqësja e opozitës, Julia Timoshenko, u kërkoi protestuesve të ndjekin presidentin, deri sa ai të bjerë. Një tjetër udhëheqës, Oleh Tiahnibok, tha se: “Ky nuk është një revolucion, por një revolucion i dinjitetit”.Berkut, apo forcat speciale në Ukrainë, janë akuzuar për rrahje dhe dhunë ndaj protestuesve në shesh. Ndërsa tensioni po rritet, Komisioni Europian tha se shefja e politikës së jashtme në BE, Catherine Ashton, do të udhëtojë në Ukrainë këtë javë, për të paraqitur rrugëdaljen nga kriza.Këto janë protestat më të mëdha në Ukrainë, që prej “Revolucionit Portokalli” të vitit 2004.Si Rusia dhe Ukraina hodhën poshtë zërat se, gjatë takimit që u zhvillua të premten mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Viktor Janukovic, në Soçi, u diskutua që Kievi t’i bashkohej Unionit Doganor, ku bën pjesë edhe Bjellorusia me Kazakistanin.Më herët, shumë analistë spekuluan se pakti mund të arrihet në këmbim të reduktimit të çmimeve të energjisë.