SHBA, shënohet përparim në negociatat për buxhetin dhe borxhin
Një marrëveshje dypartiake për rihapjen e qeverisë amerikane dhe për shmangien e pamundësisë për të paguar këstet e borxhit po diskutohet në Senat, ndërkohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë federale ka hyrë në javën e tretë dhe kanë mbetur dy ditë deri te skadimi i afatit për rritjen e tavanit të borxhit.Marrëveshja nuk është finalizuar dhe mund të përballet me kundërshtime të mëdha në Dhomën e Përfqësuesve të kontrolluar nga republikanët.Sipas udhëheqësit të shumicës në Senat, Harry Reid një plan për tejkalimin e ngërçit fiskal të Amerikës shumë shpejtë mund të jetë gati për votim."Ne kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm. Ende nuk kemi arritur marrëveshje. Por një përparim të jashtëzakonshëm dhe të gjithë duhet të jenë të durueshëm."Udhëheqësi i republikanëve në Senat, senatori Mitch McConnell, ra dakort me këtë vlerësim, duke thënë se dy ditët e negociatave kanë dhënë rezultate."Ne patëm një ditë të mirë dje. Ne kishim një tjetër ditë të mirë sot. Mund ta them me siguri se ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm."Sipas njoftimeve të medias marrëveshja siç është parashikuar aktualisht do të financonte qeverinë federale deri në mes të janarit, do ta rriste tavanin e borxhit deri në shkurt, dhe do të përcaktonte bazat për negociatat buxhetore mes dy dhomave të Kongresit nga tani deri në mes të dhjetorit. Shpresohet që këto negociata të prodhojnë një marrëveshje të mëvonshme mbi çështjet e shumta fiskale. Nuk është rënë dakord për diskutimin ose përjashtimin e ndryshimeve të vogla të ligjit të sigurimeve shëndetësore të presidentit Barak Obama.Demokratët janë gjithnjë e më të bindur se mospagimi i kësteve të borxhit, që do të kishte pasoja shkatërruese për ekonominë, do të mënjanohet.Ndërkohë, republikanët në Senat, duket se kanë braktisur shpresën e përdorimit të afateve të tanishme fiskale të vendit si një armë për bllokimin e ligjit të sigurimeve shëndetësore apo madje edhe për shkurtime më të mëdha të buxhetit federal.Senatori Rand Paul tha se duhet t’i jepet fund ngërçit fiskal. "Mendoj se duhet të arrijmë një marrëveshje dhe të rihapim qeverinë" tha ai.Një marrëveshje në Senat mund të finalizohet sot. Por votimi i saj mund të shtyhet nga senatorë të cilët mund të përdorin taktika procedurale për shtyerjen e votimit. Kundërshtari kryesor i ligjit të sigurimeve shëndetësore, senatori republikan Ted Cruz u pyet nëse ai ka në plan të kundërshtojë shqyrtimin e shpejtë të çdo marrëveshjeje që mund të arrihet. "Duhet të pres për të parë hollësitë e marrëveshje," tha senatori Cruz.Edhe në qoftë se një marrëveshje miratohet në Senat, ajo përballet me një fat të pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve. Një zëdhënës i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanit John Boehner, tha se çdo marrëveshje e miratuar nga Senati do të rishikohet dhe ndoshta do të ndryshohet në Dhomën e Përfaqësuesve. Zyrtarët e Departamentit të Thesarit thonë se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë pamundësinë e pagimit të kësteve të borxhit nëse deri të enjten të dyja dhomat e Kongresit nuk miratojnë një ligj të ngjashëm mbi rritjen e tavanit të borxhit.