Dhuna e "Agimit të Artë" në ligjin e antiterrorizmit

Qeveria greke e drejtuar nga kryeministri Andonis Samaras  e ka marrë seriozisht idenë për të nxjerrë jashtë ligjit partinë neonaziste, “Agimi i Artë”."Veprimtaria e Agimit të Artë diskrediton autoritetin e shtetit të së drejtës dhe vë në rrezik rendin publik dhe sigurinë e brendshme të vendit" thekson ministri i rendit publik dhe mbrojtjes së qytetarit, Nikos Dendias, në letrën që i ka dërguar prokurores së gjykatës së lartë, Efterpi Kutzamani, letër që shoqëron dosjen e policisë me incidentet penale të pjesëtarëve apo përkrahësve të partisë në fjalë.Janë gjithsej 32 raste 13 në Athinë dhe 19 në pjesën tjetër të Greqisë. Sipas ministrit të rendit në Greqi  “Agimi i Artë” ka një aktivitet në vazhdimësi të një organizate kriminale, dhe jo incidente të veçuara. Prandaj dhe ministri kërkon që gjithë këto raste të inkuadrohen në nenin 187 të kodit penal për krijim organizate kriminale, kështu që ato të trajtohen nga autoritetet si vepra penale dhe të kryhen arrestime të autorëve dhe të nxitësve fizikë."Në këtë mënyrë nuk nxirret jashtë ligji “Agimi i Artë”, pasi kjo nuk lejohet nga Kushtetuta, por tani të gjithë do të zvarriten nëpër gjyqe dhe do të frenohet veprimtaria e partisë në fjalë" theksoi ministri grek.Ndër analizat më problematike të ngjarjeve të fundit në shtetin Helen që kanë të bëjnë me rritjen e mbështetësve të kësaj partie, është padyshim ajo që i referohet lidhjeve të forta mes “Agimit të Artë” dhe policisë greke.