Assad: Armët nën kontrollin e Rusisë, qëndrimi nuk është frikë nga SHBA

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, në një intervistë të transmetuar mesditën e së enjtes në një televizion rus pranoi për herë të parë publikisht se është i gatshëm të vendosë arsenalin e armëve të tij kimike nën kontrollin ndërkombëtar.Assad përcaktoi për "Rossiya 24" se vendimi i tij për të pranuar këtë plan është mundësuar eksluzivisht si rrjedhojë e nismës ruse, e jo prej kërcënimeve amerikane të një ndërhyrje ushtarake.Komentet e al-Assad erdhën ndërsa presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se një sulm ushtarak në Siri do të kishte pasoja, ndërkohë që ministri i tij i jashtëm përgatitet të takohet me sekretarin e Shtetit John Kerry për të diskutuar rreth planit të Moskës për t’i dhënë fund kërcënimit që paraqesin armët kimike të Sirisë.Sekretari Kerry dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov takohen sot në Gjenevë për të diskutuar hollësitë e planit rus për Sirinë që ajo t'ia dorëzojë armët e veta kimike Kombeve të Bashkuara për t'i asgjësuar.Zyrtarët që shoqërojnë zotin Kerry thanë se bisedimet do të jenë një provë se sa “real” është propozimi, dhe se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Siria të japë pa vonesë informacione të hollësishme për arsenalin e saj kimike. Ata thanë se sigurimi i armëve është i mundur, por do të ishte “i vështirë dhe i ndërlikuar."Zoti Kerry do të takohet sot edhe me të dërguarin e posaçëm të OKB-së Lakhdar Brahimi.Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë regjimin sirian për vrasjen e qindra civilëve, nëpërmjet një sulmi kimik të ndodhur në periferinë e Damaskut në datën 21 gusht.Autoritetet i mohojnë këto akuza, duke fajësuar rebelët si ndërmarrës të sulmit.