Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrja e serbëve tema kryesore e politikës
Qeveria e Kosovës kërkon nga Qeveria serbe që të jetë e sinqertë kur u bënë ftesë serbëve të veriut për të dalë në zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit.Zyrtarët më të lartë të ekzekutivit të Kosovës nuk përtojnë t'u bëjnë thirrje serbëve të veriut që të marrin pjesë në këto zgjedhje, pasi sipas tyre dalja në zgjedhje, është në të mirë të vetë serbëve të asaj pjese të vendit. Zëvendëskryeministrja e Qeverisë, EditaTahiri, thotë se ka ardhur koha që serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje, për të zgjedhur përfaqësuesit legjitim të tyre.Por drejtuesi i Iniciativës Qytetare Serbe, në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ka thënë për “Kosovapress” se serbët e Kosovës, nuk janë mësuar të vendosin për ligjin apo për të marr pjesë në ndonjë proçes që është shumë me rëndësi. Sipas analistëve politikë në Kosovë, ftesa e Serbisë për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet e 3 Nëntorit, bëhet sa për t'i bërë qejfin bashkësisë ndërkombëtare dhe për ta rregulluar pozicionin e vetë dhe aspak për ta kthyer këtë pjesë nën kontrollin e Prishtinës.Ndonëse janë mbajtur disa takime të kryetarëve ilegal të komunave veriore me udhëheqësit më të lartë serb në Beograd, ato takime nuk kanë bindur 'ilegalët' që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 Nëntorit. Mbetet të shihet ditëve në vijim nëse Qeveria e Beogradit, ndaj qytetarëve të veriut, do të përdorë mekanizma tjerë për t'i shtyrë, që për herë të parë, pas 14 vjetësh, të hyjnë në një proçes zgjedhor, që organizohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ndërmjetësimin e OSBE-së në atë pjesë.