Egjipti pregatitet për protesta të reja
Mbështetësit e presidentit të rrëzuar egjiptian Mohammed Morsi po nisin protesta të reja pas një dite dhune që la disa qindra të vdekur, dita më e përgjakshme që nga fillimi i Pranverës Arabe.Ministria e Shëndetësisë njofton se të paktën 525 veta humbën jetën dhe më shumë se 3,700 u plagosën. Por sipas Vëllazërisë Myslimane, nga ndërhyrja e policisë në dy kampe protestuesish në Kajro, u vranë më shumë se 4,500 persona.Mbështetësit e presidentit të rrëzuar egjiptian Mohammed Morsi po nisin protesta të reja, një ditë pas dhunës që la qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur. Disa protestues i vunë zjarrin sot një ndërtese qeveritare në Kajro.Televizioni shtetëror egjiptian dhe dëshmitarë të ndryshëm thanë se në Giza qindra mbështetës të Vëllazërisë Muslimane sulmuan zyrat qeveritare, duke i vënë zjarrin hyrjes së ndërtesës.Ndërkaq, qindra njerëz marshuan sot në qytetin e Aleksandrisë për të kërkuar kthimin e zotit Morsi në pushtet.Dje, Egjipti përjetoi një ditë të pazakontë dhune, e cila filloi pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj dy kampeve të protestuesve në kryeqytet.Kampi i vogël i protestës, pranë Universitetit të Kajros në Giza, u pastrua nga protestuesit relativisht shpejt, por u deshën 12 orë që policia të merrte nën kontroll kampin kryesor që ndodhej pranë xhamisë Rabaah el-Adevije në Nasr City dhe që shërbente si epiqendra e fushatës pro presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.Familjarë të pikëlluar u grumbulluan sot në një xhami në lindje të Kajros, sheshi i së cilës ishte mbuluar nga dhjetra trupa pa jetë të mbështetësve të Morsit."Ministria e Shëndetësisë nuk pranon të dërgojë njerëz për të identifikuar trupat. Mjekët në spitalin e improvizuar kanë bërë raportet e identifikimit, por raportet e tyre jozyrtare nuk pranohen nga autoritetet dhe të drejtat e këtyre njerëzve do të shkojnë kot," thotë Amr Fawzi, mbështetës i Vëllazërisë Myslimane.Autoritetet kishin ditë që kishin paralajmëruar se do të ndërhynin për të prishur kampet ku mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane protestonin kundër ushtrisë dhe përmbysjes prej saj të presidentit të zgjedhur Mohamed Morsi.Mohamed Ibrahim, Ministër i brendshëm i qeverisë së përkohshme të mbështetur nga ushtria, mori në mbrojtje veprimet e forcave të sigurisë, duke thënë se ata ushtruan forcë minimale kundër kampeve duke përdorur vetëm gaz lotsjellës. Ai fajësoi Vëllazërinë për krijimin e asaj që ai e quajti një gjendje kaosi në të gjithë vendin duke qëlluar mbi policinë, duke sulmuar ndërtesat qeveritare dhe djegur kishat.Megjithatë dëshmitarë okularë thanë se forcat e sigurisë përdorën municion luftarak kundër protestuesve.Pas dhunës së djeshme, udhëheqësi pro-reformave, Mohamed ElBaradei dha dorëheqjen si zëvendës president i përkohshëm. Ai tha se nuk donte të vihej para përgjegjësisë qoftë edhe për një pikë të vetme gjaku.Autoriteti hekurudhor i Egjiptit ka pezulluar shërbimin e trenave që lidhin Kajron me qytetet e tjera për të mos lejuar rigrupimin e aktivistëve.