Egjipti në prag të luftës civile, reagojnë ndërkombëtarët

Mbi 124 persona kanë mbetur të vrarë gjatë ditës së sotme në Egjipt, gjatë protestave që kanë përfshirë vendin, mëngjesin e së mërkurës. Qeveria egjiptiane, e mbështetur nga ushtria, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një muaj, duke sugjeruar masa më drastike për të rivendosur qetësinë në vend.Zëvendës presidenti i përkohshëm i Republikës së Egjiptit, Mohammad ElBaradei, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është transmetuar nga "Al Arabya".Lidhur me situatën të menjëhershme kanë qenë reagimet nga ana e ndërkombëtarëve.I pari që ka folur për situatën në Egjipt ka qenë kryediplomati gjerman, Guido Westervelle, i cili ka bërë thirrje për ndalje të dhunës nga të gjitha palët.“Ne presim që qeveria kalimtare dhe autoritetet e Egjiptit të lejojnë protestat paqësore. Ne gjithashtu presim fuqitë e tjera politike që ta distancojnë veten qartë prej dhunës, të mos kërkojnë më shumë dhunë dhe të mos veprojnë dhunshëm”, ka thënë ministri i jashtëm gjerman, Guido Ëestervelle.Ndërkohë, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian përmes shefes për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, e cila në një komunikatë ka thënë se është tejet e shqetësuar me zhvillimet në Egjipt.“Më vjen keq për humbjen e jetëve, lëndimin e njerëzve dhe shkatërrimet në Kajro dhe vende të tjera të Egjiptit. Ju bëjë thirrje forcave të sigurisë që të tregojnë vetëpërmbajtjen më të madhe dhe të gjithë qytetarëve të Egjiptit që të evitojnë provokimet e mëtutjeshme dhe eskalimin”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.Edhe Shtëpia e Bardhë ka dënuar dhunën në Egjipt, duke thënë se kjo do të bëjë më të vështirë situatën që vendi të ecë më përpara.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke folur në Martha Vineyard të Masuccetsit ku Presidenti Barack Obama ndodhet me pushime, u shpreh se dhuna po shkon në kundërshtim me premtimet e bëra nga qeveria e përkohshme e Egjiptit.Ai rikujtoi se "bota është duke shikuar" se çfarë po ndodh në Kajro dhe kërkoi përmbajtje të dhunës.Reagime të njëanshme kundër veprimeve të autoriteteve në Egjipt kanë bërë vetëm liderët islamikë nëpër vende të ndryshme të botës.Reagime kritike ndaj ushtrisë egjiptiane janë bërë nga Irani, Katari, ndërsa presidenti turk, Abdullah Gul, ndërhyrjen e së mërkurës të forcave të rendit e ka quajtur “tërësisht të papranueshme”.