Anulohet stërvitja ushtarake SHBA-Egjipt, Obama:Të respektohet e drejta e protestuesve
Presidenti Barak Obama anuloi manovrat e përbashkëta ushtarake me Egjiptin të planifikuara për muajin e ardhshëm në përgjigje të shtypjes së përgjakshme të protestuesve nga qeveria e përkohshme egjiptiane që shkaktoi qindra të vrarë.Presidenti Obama dënoi sot dhunën në Egjipt dhe shtypjen e protestuesve nga ushtria, dhe njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të anulojnë manovrat e përbashkëta të planifikuara për muajin e ardhshëm“Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë masat e marra nga qeveria e përkohshme e Egjiptit dhe forcat e sigurisë”, tha presidenti Obama përmes një deklarate për shtypin nga ishulli Martha’s Vineyard në shtetin Masaçusets, ku ai ndodhet me pushime.“Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti, “shprehin indinjatë të thellë për dhunën ndaj civilëve. Ne mbështesim të drejtat universale jetike për dinjitetin njerëzor, përfshirë të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore”.Nga ana tjetër Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay ju ka bërë thirrje të gjitha palëve në Egjipt që “të tërhiqen prej humnerës”, një ditë pasi qindra persona e humbën jetën kur forcat e sigurisë i hoqën dy kampe protestuesish islamik në Kajro.Pillay e cila më parë ka punuar si gjyqtare për krime lufte e OKB-së, ka thënë se numri i madh i viktimave tregon për “përdorim të forcës së madhe, apo ndoshta ekstreme kundër demonstruesve”.“Duhet të ketë një hetim të pavarur, efektiv dhe të besueshëm të forcës së përdorur nga forcat e armatosura. Të gjithë ata që kanë vepruar keq duhet që të mbahen përgjegjës”, ka thënë ajo përmes një deklarate që e ka publikuar zyra e saj në Gjenevë.